Thaçi ia bën për hair Zhegrës komunën

“Për ju qoftë komuna e Zhegrës” u është drejtuar qytetarëve të këtij lokaliteti kryeministri Hashim Thaçi, duke thënë se të tjerët kur ka qenë kërkesa për komunë, banorëve u kishin dhuruar vetëm buzëqeshje e ky kërkesën e banorëve po e bën realitet.

Thaçi, i cili tashmë ka filluar fushatën elektorale të partisë së tij për zgjedhjet lokale, ashtu si një ditë më parë atë të Hasit, komunën e Zhegrës e sheh si punë të kryer dhe ka thënë se kjo komunë do të jetë ndër më afirmativet, se do të ketë të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të vet dhe se do të mund të marrë fonde drejtpërdrejt nga qeveria.

“Që nga sot fillon një histori e re për Zhegrën”, ka thënë Hashim Thaçi, i cili kësaj komune të re i premtoi palestrën sportive dhe rregullimin e rrugës Ladovë-Nasalë e që do të dalë në Remnik.

“Vullneti i juaj kaherë ishte Zhegra komunë e një gjë e tillë u bë realitet, ngase tashti ka ardhur dita”, ka thënë Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, i cili nuk e la pa përmendur se në interes nacional është edhe autostrada Ferizaj – Viti – Gjilan – Dardanë e deri te “Dheu i Bardhë”, e kjo autostradë do të kalojë edhe skaj Zhegrës. Ai foli edhe për Universitetin e Gjilanit që do të hapet sivjet, sikurse edhe për 90 milionë investime që për gjashtë vite janë bërë në Gjilan e sipas tij, deri në fund të vitit Gjilani do t’i përfitojë edhe 10 milionë të tjera.

Duke folur për zhvillimet në vend, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka hyrë në fazën e konsolidimit, se tashti ka mbi 100 njohje nga gjithë bota dhe se jeta e qytetarit po bëhet çdo ditë e më e mirë.

Para se të flasë kryeministri, Nijazi Idrizi, deputet i kësaj ane, themelimin e Zhegrës komunë e quajti ngjarje të jashtëzakonshme dhe si ngjarje që do të shënohet në historinë më të re të Kosovës,shkruan zeri.

Ai foli për mundësitë që i ka kjo komunë, gjë të cilën e bëri edhe Shukrije Ramadani, e veja e Agim Ramadanit, duke thënë se Zhegra komunë ishte ideal edhe i Agimit dhe dëshmorëve të tjerë. Zenun Pajaziti, deputet dhe kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, tha se po përmbyllet një fazë dhe po fillon një tjetër e re, derisa edhe Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, tha se sa kishin qenë bashkë kishin qenë më ngushtë e tashti me themelimin e komunës së Zhegrës do të rritet perspektiva për këtë komunë./LajmeOnline/