Thaçi i papërshtatshëm për Vuçiqin në negociata

Hashim Thaçi, si duket është “arrë e fortë” për kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiqin në dialogun Kosovë-Serbi. Ai përmes Aleksandar Vulinit ka urdhëruar deputetet e listës Srpska që ta votojnë çdo nismë të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma.
Indeksonline, mëson se Vuçiqi nuk e sheh aspak të përshtatshëm liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, për të negociuar me të në Bruksel, sepse në shumicën e takimeve kanë pasur përplasje të mëdha dhe se për t’i ulur “gjakrat” është dashur t’i ndërprenë ato shumëherë.

Urdhrin për ta përkrahur bllokun opozitar, në kushte anonimiteti disa prej qarqeve ndërkombëtare thonë se nuk i ka shkuar Listes Srpska prej tyre, por prej kryeministrit te Serbisë. “Për ne është i kuptueshëm veprimi i tyre, sepse Vuçiqi dhe Thaçi të gjitha takimet i kanë mbajtur nën tensione të larta dhe natyrisht që sikur t’iu vinte mundësia, dytë do t’i ndërronin palët negociatore.

Thaçi njihet si kryeneç dhe këmbëngulës në propozimet e tij. Dytë kanë kaluar moti nivelin e politikanëve dhe janë shndërruar në diplomatë e nuk e kane te lehte”, thotë ky burim ndërkombëtar.
Për tonet e larta të tyre gjatë dialogut kanë raportuar shpesh edhe mediat në Kosovë dhe Serbi. Madje, në takimin kur Thaçi ka kërkuar nga Vuçiqi që të njoh pavarësinë e Kosovës, këta dy kishin shkëmbyer edhe akuza të rënda me njëri-tjetrin. “Mua nuk më intereson se çka thotë Kushtetuta juaj. Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim, rrini. Nëse jo, mund të dilni”, i kishte thënë Thaçi, Vuçiqit në këtë takim.