Thaçi e ka përçarë ekstremisht Kosovën


Kalimi i krizës politike në inate personale nga papjekuria e klasës politike

“Kriza politike është thelluar me zgjedhjen e Hashim Thaçit, kryetar të shtetit, pa pjesëmarrjen e opozitës dhe në një lloj shtetrrethimi. Njeriu që duhej kujdesur për ta përfaqësuar unitetin e popullit e ka përçarë atë ekstremisht. Në Kosovë në vend të avancimit të demokracisë po vjen në shprehje partitokracia, që me marrëveshje mes tre partive të koalicionit të dominohet shoqëria kosovare”, ka thënë analisti Halil Matoshi.
Elita politike e vendit, duke vazhduar me një praktikë të keqe, ajo tani më ka filluar ta bëjë edhe ritualë atë, duke hequr çdo vlerë operuese konceptit të përfaqësuesit, madje kanë shpalosur një dimension të tyre krejtësisht të fshehur deri më tani, dimensionin fiziologjik të tyre. Paditurinë e tyre e kanë shndërruar në model për gjeneratat e ardhshme, pra, shprehitë e tyre të veçanta mundohen t’i shndërrojnë në qëndrime universale, “vlerat” e tyre po ashtu mundohen t’i shndërrojnë në kritere absolute. Barbaria gjithmonë i ka paraprirë një periudhe të gjendjes së egër, por barbaria i ka paraprirë edhe vetë qytetërimit. Andaj, historia e njerëzimit është një e vetme për nga burimi i saj, një e vetme për nga përvoja, por edhe një e vetme për nga progresi. Pra, ne si shoqëri tashme kemi ngecje.

Ngecja jonë vjen si rezultat i mos progresit, sepse elita politike e cila ka kapur pushtetin herë në një periudhë e herë në një periudhë tjetër, ka shpërfaqur elemente barbarie e egërsie, por vështirë të thuhet se ka elemente qytetarie. Inatet personale të tyre, duhet të jenë edhe kolektive, kështu mendojnë ata, por nuk mendojnë kështu kur bie fjala për interesat e tyre personale.

Për publicistin Halil Matoshi, me zgjedhjen e Hashim Thaçit president, kriza politike është thelluar edhe më tej, pra kemi shkuar në një regres në vend se të shkonim drejt një progresi duke gjetur një unitet politik. Ai shprehet: “Kriza politike është thelluar me zgjedhjen e Hashim Thaçit Kryetar të shtetit, pa pjesëmarrjen e opozitës dhe në një lloj shtetrrethimi. Njeriu që duhej kujdesur për me e përfaqësua unitetin e popullit e ka përçarë atë ekstremisht. Në Kosovë në vend të avancimit të demokracisë po vjen në shprehje partitokracia, që me marrëveshje mes tre partive të koalicionit të dominohet shoqëria kosovare. Elitat politike në mungesë të etikës së pushtetit e kanë shndërruar atë në pushtet personal. Porse, ky pushtet ka krizë të thellë legjitimiteti dhe i vetmi mekanizëm për dalje nga kjo krizë politike dhe e besimit, është marrëveshja për zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e sivjetme.”

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të premtën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)
1