Thaçi: Do të ketë punë për të gjithë, të rinj e të moshuar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një ligjërate me studentë të një universiteti privat në vend, ka thënë se vendi ynë do të bëhet interesant për investitorët e huaj, dhe bota do t’i shijojë prodhimet tona.

“Prodhimet kosovare do të shijohen në mbarë botën. Kompanitë e huaja do të duan të investojnë edhe më shumë në burimet tona natyrore. Dhe e gjithë kjo do të krijojë vende të reja pune. Mbi të gjitha, vende pune”, ka thënë Thaçi.
Ai gjithashtu ka premtuar vende pune në qytete e fshatra, për të rinj e të moshuar.

Thaçi ka folur edhe për fondin zhvillimor dhe investiv, duke thënë se mjetet e këtij fondi dëshiron që t’i “riatdhesojë” në ekonominë kosovare, meqë kjo mundëson investim prej 1.5 miliardë euro në Kosovë.

“Këto janë para që Kosova i ka tashmë në llogaritë bankare evropiane. Dhe ka ardhur koha që t’i sjellim këto para në shtëpi, dhe t’i përdorim ato për ta ndërtuar Kosovën e së nesërmes.

Këto para do të investohen në bizneset e vogla dhe ato të mëdha. Paratë do të investohen në të mirën e ndërmarrësve sikurse ata që i përmenda sot”, ka thënë Thaçi./koha/