Thaçi: Bashkëpunim të ngushtë me Ramën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi uroi për të dytën herë Shqipërinë për procesin e rregullt zgjedhor.

Në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar, duke iu referuar kësaj çështjeje, ai shtoi se qeveria e tij do të bashkëpunojë ngushtë edhe me qeverinë e re të Shqipërisë.

“Qeveria e Kosovës, siç ka punuar ngushtë me kryeministrin Sali Berisha, do të bashkëpunojë edhe me qeverinë e Edi Ramës, duke i ftuar të gjithë ministrat që të vazhdojnë projektet”, deklaroi Thaçi.

Ndërkaq, sa u përket zhvillimeve politike në Kosovë, Thaçi u ndal te projektligji për amnistinë, i cili në këndvështrimin e qeverisë i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

“Nesër do të kemi në Kuvendin e Kosovës projektligjin për Amnistinë, që do të jetë për gjithë territorin e Kosovës dhe do të trajojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, jo në baza etnike apo rajonale”, nënvizoi Thaçi,transmeton tch.

Sa i përket hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Thaçi shtoi se ky hap ka futur Kosovën në binarët e integrimeve europiane./LajmeOnline/