Tempullarët gjermanë që lanë gjurmët në Palestinë

timthumb

Vonë, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, një grup kristianësh gjermanë, të quajtur Tempullarët, u vendosën në Tokën e Shenjtë me një mision fetar. Ajo që filloi me sukses, përfundoi në fakt tri gjenerata më pas, e shkatërruar nga ngritja e nazizmit dhe lufta

Raffi Berg, BBC

Bashkësia e gjermanëve kristianë të Kurt Eppinger mbërritën në Tokën e Shenjtë për të zbatuar planin e tyre mesianik – por më pak se një shekull më vonë, anëtarët e tij u dërguan në ekzil, vizioni i baballarëve të tyre themeltarë pati një fund të papritur dhe të palumtur.

Gjermanët nuk ishin më të mikpritur në atë që fillimisht ishte pjesë e Perandorisë Osmane, pastaj Mandati Britanik i Palestinës dhe më vonë u bë shteti i Izraelit.

“Më 3 shtator 1939, ne po dëgjonim BBC dhe babai im tha: ‘Lufta është shpallur’ – dhe një minutë më pas pati një trokitje në derë nga një polic që erdhi dhe mori babanë tim dhe të gjithë burrat në koloni.”

Në atë kohë, Kurti ishte 14 vjeç, pjesë e një grupi kristian të quajtur Tempullarët. Ai jetonte në një vendbanim në Jerusalem – lagjja që sot vijon të njihet si Kolonia Gjermane.

Vonë nga vitet 1940, i gjithë komuniteti i Tempullarëve me shtatë vendbanimet e tyre në Palestinë ishte deportuar për të mos u kthyer kurrë.

Ata qenë vendosur dy gjenerata më parë, nën udhëheqjen e Christoph Hoffmann, një teolog protestant nga Ludvigsburg në Vutemberg, i cili besonte te kthimi i dytë i Krishtit dhe se ky kthim mund të përshpejtohej përmes krijimit të mbretërisë shpirtërore të Zotit në Tokën e Shenjtë.

Gjyshi i Kurtit, Christian, ishte mes disa dhjetëra njerëzve që u bashkuan me Hoffmann në zhvendosjen e tyre nga Gjermania në Haifa në Palestinë më 1869-n.

Hoffmann ishte ndarë nga Kisha Luteriane Evangjelike më 1861, duke marrë një frymëzim nga Testamenti i Ri dhe koncepti i kristianëve si “tempuj” që mishërojnë frymën e Zotit, dhe si një bashkësi që veproi së bashku për të ndërtuar “tempullin” e Zotit mes njerëzimit.

Por ndërtimi i një bashkësie në atë që ishte një tokë e harruar, qe një sipërmarrje jashtëzakonisht e vështirë. Shumica e tokës ishte kënetë, malaria ishte shumë e egër dhe vdekshmëria foshnjore shumë e lartë.

“Tempullarët e panë ‘Sionin’ (sinonimi biblik për Jerusalemin dhe Tokën e Shenjtë) si atdheu i tyre i dytë”, thotë David Kroyanker, autor i librit “Kolonia Gjermane dhe rruga Emek Refaim”. “Por ishte si të shkoje në Hënë – ata shkuan nga një vend i zhvilluar në asgjëkund.”

Në fakt, Tempullarët mbërritën në Palestinë më shumë se një dekadë para se të mbërrinin emigrantët e parë të sionistëve hebrenj, të cilët shkuan atje për t’i shpëtuar shkatërrimit dhe përndjekjes së njohur si pogromët në Rusi – dhe në shumë mënyra ata shërbyen si modelë për pionierët hebrenj.

Fillimisht Tempullarët u përqendruan në bujqësi – duke tharë kënetat, duke mbjellë fushat, duke krijuar vreshta dhe pemishte e duke përdorur teknikat moderne të punës të panjohura në Palestinë. (Ata qenë të parët që hodhën në treg Portokajtë e Xhafas, “Jaffa Oranges” – prodhim nga vendbanimi Sarona pranë Xhafës.

Ata vunë në punë mullinjtë e parë të vajit apo të grurit që funksiononin me motor me avull. Ata hapën hotelet e para dhe farmacitë e stilit europian, si dhe hynë në prodhimin e mallrave të rëndësishëm si sapun dhe çimento – apo birrë.

Në librin e tij, “Kolonët e Tempullarëve të Vurtembergut në Palestinë”, 1868-1918, profesori Alex Carmel i Universitetit të Haifës vëren se si Tempullarët “shpejt fituan reputacion për aftësitë e tyre dhe saktësinë në kryerjen e punës. Ata ndërtuan koloni shembullore dhe shtëpi të bukura të rrethuara nga kopshte me lule – një copë nga atdheu i tyre në zemër të Palestinës.”

Simbolet e besimeve të tyre fetare janë ende të pranishme në lagjen e Jerusalemit, ku Tempullarët filluan të banojnë më 1873. Ata e emëruan lagjen “Emek Refaim” (Lugina Refaim) sipas vendit në Bibël, dhe vargjeve të librave të shenjtë, të shkruara në germa të stilit gotik. Ato germa vijojnë të dallohen në gurëkyçët mbi portat e shtëpive të tyre të dikurshme.

Shumica e ndërtesave, me çatitë e tyre të dallueshme me tjegulla të kuqe dhe qepena jeshilë, janë të paprekura (të mbrojtura nga një ligj konservimi) dhe i japin lagjes një elegancë kontinentale që ka ndihmuar për ta kthyer atë në një nga zonat më të shtrenjta të Jerusalemit.

“Në vitet e para të emigrimit të hebrenjve në Palestinë, njohuritë në modernizimin bujqësor dhe industrial qenë në duart e gjermanëve”, thotë Jakob Eisler, një historian i Tempullarëve në Shtutgart. “Megjithëse ata qenë më të paktë në numër, patën një ndikim të madh në të gjithë shoqërinë, veçanërisht mbi hebrenjtë që erdhën këtu”, thotë ai.

“Pa ndihmën e Tempullarëve do të ishte shumë më e vështirë për kolonët hebrenj të zhvilloheshin aq shpejt sa u zhvilluan. Nëse krahason modernitetin e kolonive hebraike më 1880-n dhe 1890-n me ato të kolonive gjermane të kohës, atëherë dallon se gjermanët udhëhiqnin.”

Megjithëse Palestina ishte një botë krejt e ndryshme nga Gjermania, Tempullarët mbetën shumë patriotikë, duke mbajtur me krenari nënshtetësinë gjermane dhe dialektin gjuhësor suabian.

Kur Kaizeri i Gjermanisë Vilhelm II vizitoi Jerusalemin më 1898-n, Tempullarët dolën në shesh me veshjet më të mira për ta përshëndetur atë, dhe kolonia e tyre e Vilhelmit, pranë Xhafës, mori këtë emër për nder të Mbretit Vilhelm i Dytë të Vutembergut.

Me ardhjen e Luftës së Parë Botërore, shumë Tempullarë shkuan të luftonin për Gjermaninë, duke vdekur në fushëbetejat e Europës dhe në Palestinë, e cila në fund u pushtua nga Britania. Një memorial për 24 të vdekurit e Luftës së Parë Botërore nga radhët e tyre gjendet në varrezën e rregullt të Tempullarëve në rrugën “Emek Refaim”.

Shpartallimi i Gjermanisë ishte shkatërrimtare për Tempullarët. Besnikëria e tyre ndaj Gjermanisë nënkuptonte se ata tashmë konsideroheshin të huaj armiqësorë nga britanikët dhe në vitin 1918, 850 prej tyre, ose shumica e popullatës së kolonive – u dërgua në kampe internimi në Egjipt, ndërsa pronat e bagëtitë e tyre u konfiskuan.

U desh të kalonin edhe tre vjet para se ata të lejoheshin të ktheheshin për të rindërtuar kolonitë e tyre të rrëzuara. Të kthyerit treguan të njëjtin vullnet si paraardhësit e tyre gjysmë shekulli më parë, por kësaj here nuk pati më një bashkëpunim të ngushtë mes Tempullarëve dhe emigrantëve hebrenj të Palestinës.

“Në vitet 1920, hebrenjtë nuk patën nevojë për gjermanët për të kryer modernizimin, sepse britanikët qenë aty, kështu që Autoriteti i Mandatit Britanik po ndërtonte rrugët dhe po planifikonte zgjerimin e qyteteve, pra po bënte të gjitha ato gjëra të cilat nuk bëheshin në kohën e osmanëve”, vëren dr. Eisler.

“Në kohën e Mandatit, hebrenjtë erdhën në këtë tokë dhe po konkurronin me gjermanët, kështu që shumë gjermanë e panë veten jo më duke ndihmuar në zhvillim, por me një të ardhme nën kërcënim.”

Gjithsesi, marrëdhëniet mes Tempullarëve dhe bashkësive hebraike mbetën të mira, pavarësisht rritjes së dhunës mes arabëve dhe hebrenjve në Palestinë. Rosemarie Hahn lindi në koloninë e Jerusalemit më 1928. Ajo e rikujton periudhën me një ndjesi të fortë nostalgjike.

“Unë kam vetëm kujtime të lumtura”, thotë ajo në aksentin e saj gjerman. “Për ne si fëmijë ishte si të jetoje në atdhe, – ne nuk dinim asgjë tjetër. Ne ishim miq me të gjithë – shoqja ime më e mirë në kopsht ishte një vajzë hebraike dhe një vajzë arabe. Anglezë, hebrenj, arabë, armenë, të gjithë qenë të pranuar në shkollën tonë. Por kjo gjë ndryshoi pas vitit 1934. Mikesha ime hebraike u hoq nga shkolla, ndërsa vëllai im pati një shok hebre që nuk u kthye kurrë, për shkak të politikës.”

Në këtë kohë, Partia Naziste u ngrit në pushtet në Gjermani dhe filozofia e saj u shpërnda edhe nëpër komunitetet e përtejdetit, përfshirë Palestinën. Një degë u krijua në Haifa nga Tempullari Karl Ruff më 1933 dhe kolonitë e tjera krijuan degët e tyre. Ndërsa Nacional-Socializmi kapi imagjinatën e shumë të rinjve dhe tempullarëve më pak fetarë, ajo hasi në rezistencë nga gjenerata më e vjetër.

“Tempullarët e moshuar kishin frikë se Fyhreri do të kalojë Jezusin ideologjikisht”, thotë Kroyanker. “Shumë të rinj qenë nën ndikim të lehtë nga nazizmi – shumë prej tyre studiuan në Gjermani në atë kohë… dhe kur u kthyen, qenë shumë të joshur nga kjo ideologji. Në fillim pati një farë mosmarrëveshjeje mes gjeneratës së vjetër dhe asaj të re, por në fund gjenerata e re e fitoi betejën.”

Në Jerusalem, një mësues te një nga shkollat e Tempullarëve, Ludwig Buchhalter, u bë kreu i degës vendore të partisë dhe udhëhoqi përpjekjet që nazizmi të hynte në të gjitha aspektet e jetës së gjermanëve atje.

Organizatat rinore të djemve dhe vajzave që qenë sipas modelit britanik, u zëvendësuan në Koloninë Gjermane nga organizatat rinore naziste. Punëtorët u bashkuan me Organizatën Naziste të Punës dhe anëtarët e partisë përshëndetën njëri-tjetrin në rrugë me “Hail Hitler”. Nën presion nga Buchhalter, disa gjermanë bojkotuan bizneset e hebrenjve në Jerusalem (dhe hebrenjtë bënë të njëjtën gjë).

David Kroyanker tregon për një ngjarje makabre, kur më 1978-n një kuti që përmbante një uniformë, një sëpatë dhe artefakte të tjera naziste, u zbulua e fshehur në çatinë e një shtëpie që i përkiste një të mbijetuari 82-vjeçar të holokaustit në “Emek Refaim”.

Shtëpia e Buchhalter, tashmë vendi i një blloku apartamentesh luksi në rrugën “Emmanuel Noah”, shërbeu si selia qendrore e Partisë Naziste dhe vetë Buchhalter bridhte nëpër rrugë me makinë të zbukuruar me svastika. Ai më vonë kujtoi sesi në një rast harroi t’i heqë ato dhe u sulmua e u godit me gurë, ndërsa po udhëtonte përmes një zone hebrenjsh.

Thellësia e penetrimit të nazizmit mes Tempullarëve dhe pyetja nëse ata të gjithë e përqafuan nazizmin, është një çështje e debatuar nga historianët. Ndërsa disa prej tyre qenë entuziastë, të tjerë qenë më pak të angazhuar dhe kishte disa që shprehën mosbindje dhe rezistencë.

“Mund të gjesh disa dhjetëra që qenë veçanërisht aktivë dhe një pjesë që u bashkuan me rrymën, por qe edhe një grup tjetër i frikësuar të dilte hapur kundër, njësoj siç ndodhi në Gjermani”, thotë dr. Eisler.

Shifrat ndryshojnë, por sipas Heidemarie Wawrzyn, libri i së cilës “Nazizmi në Tokën e Shenjtë 1933-1948” pritet të publikohet së shpejti, rreth 75 për qind e gjermanëve në Palestinë që i përkisnin Partisë Naziste apo qenë të lidhur me të, ishin nga bashkësia e Tempullarëve.

Ajo thotë se më shumë se 42 për qind e Tempullarëve morën pjesë në aktivitetet naziste në Palestinë. Vetë shefi i nazizmit, Adolf Eichmann, arkitekt i zgjidhjes finale, krijoi dhe propagandoi një legjendë që thoshte se ai pati lindur në Koloninë e Tempullarëve në Sarona, në veri të Xhafës, por kjo ishte e pavërtetë.

Ndërsa lufta shpërtheu në Europë, edhe një herë pozicioni i Tempullarëve në Palestinë u bë i pasigurt. Në gusht 1939, të gjithë burrat në Palestinë morën letrën e thirrjes për ushtar. Në fund të muajit, 249 prej tyre u nisën për t’u bashkuar me Vermahtin.

Më 3 shtator 1939, kur Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë, të gjithë gjermanët në Palestinë, për herë të dytë, u klasifikuan si të huaj armiqësorë dhe katër vendbanime të tyre u bllokuan e u kthyen në kampe internimi.

Burrat e moshës për ushtarë, përfshirë baballarët e Kurtit dhe Rosemarie, u dërguan në një burg pranë Akrës ndërsa familjet e tyre u urdhëruan të qëndronin brenda kampeve. Për dy vitet që vijuan, Tempullarët u lejuan për të funksionuar si koloni bujqësore brenda një zone të rrethuar me tel me gjemba dhe me rojë. Por kjo ishte fillimi i fundit.

Në korrik 1941, më shumë se 500 prej tyre u deportuan në Australi, ndërsa në tre vitet që pasuan, 400 të tjerë u riatdhesuan në Gjermani me tren si pjesë e tri shkëmbimeve të nazistëve me hebrenj që mbaheshin në geto dhe kampe.

Disa qindra Tempullarë mbetën në Palestinë pas lufte, por për ta nuk pati shans për rindërtimin e bashkësive të tyre. Një kryengritje hebrenjsh kundër Britanisë filloi shpejt, ndërsa më 1946-n, militantët hebrenj vranë një ish-kryebashkiak të Saronës që u përkiste Tempullarëve. Kjo solli braktisjen e kolonisë.

I vrari, Gotthilf Wagner, thuhet se u shënjestrua si një ish-nazist. Por të tjerë thonë se u vra pasi përbënte pengesë për planet e hebrenjve për të blerë tokën e gjermanëve.

Pasi dy Tempullarë të tjerë u vranë nga militantët hebrenj më 1948-n, autoritetet britanike evakuuan të gjithë anëtarët e mbetur në një kamp internimi në Qipro.

Grupi i mbetur prej rreth 20-30 të moshuarish morën strehë në Manastirin e Motrave të Shën Karlit Borromeo në Jerusalem, por më 1949-n, disa prej tyre u urdhëruan gjithashtu të largohen – tashmë nga shteti i Izraelit, të akuzuar se qenë ish-anëtarë të Partisë Naziste. Tempullarët e fundit u larguan në prill 1950.

Lëvizja u rithemelua si Shoqëria e Tempullarëve në Gjermani e Australi dhe më 1962, asaj iu paguan 54 milionë marka gjermane nga Izraeli për pronat e humbura – e barasvlefshme me rreth 100 milionë dollarë të sotme. Nga këto, Ludgwig Buchhalter, i cili vdiq në Gjermani më 2006-n në moshën 96-vjeçare, thuhet se mori 60 mijë dollarë të kohës, e barasvlefshme me 500 mijë dollarë të sotmet.

Si Kurti ashtu edhe Rosemarie, të cilët ende i përkasin Shoqërisë së Tempullit në Viktoria, janë pozitivë mbi të shkuarën dhe të painteresuar për hakmarrje.

“Si fëmijë unë nuk mund të kuptoja se pse ne po deportoheshim”, thotë Kurt, “por siç rezultoi më vonë, ky ishte një bekim. Pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishte të ardhme për ne në Palestinë. Australia na dha mundësinë të fillonim nga e para.”

 

Cilët qenë Tempullarët?

Një grup separatist i themeluar në Luduigsburg, Gjermani, më 1861 nga prifti Christoph Hoffmann.

Emrin e morën nga koncepti i librave të shenjtë të kristianëve, ku tempujt mishërojnë Zotin në Tokë.

Organizata themeloi bashkësi tempullarësh në Tokën e Shenjtë me shpresë se do të përshpejtonte ardhjen e dytë të Krishtit.

Shtatë koloni Tempullarësh u themeluan në Palestinë mes viteve 1869-1906.

U rithemeluan në Gjermani dhe Australi si Shoqëria e Tempujve.

Nuk kanë lidhje me Kalorësit Tempullarë. (Në disa përkthime, Templarë.)

 

 

Bashkësitë e gjermanëve në Palestinë, 1939

Tempullarët gjermanë në Jerusalem

Tempullarë: 1 290 anëtarë

Kishat protestante gjermane: deri në 500 anëtarë

Kisha Katolike: deri në 180 anëtarë