“Të q… robt, ja i fort ti?”, plas grushti tek “21 Dhjetori”, polici bën spektatorin (VIDEO)


Një incident banal që ka ndodhur mes dy të rinjve mbrëmjen e djeshme në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet, ka përfunduar në dhunë me shqelma e grushte mes tyre. Një pjesë e ngjarjes është filmuar nga kalimtarët, të cilët kanë sjellë pamjet në redaksinë e JOQ. Sipas dëshmitarit bëhet me dije se dy automjete janë fërkuar mes tyre. Në njërin udhëtonte një djalë e një vajzë dhe në tjetrin një djalë bashkë me të atin. Dy shoferët dhe babai i njërit prej tyre kanë dalë nga automjeti dhe kanë nisur të debatojnë ashpër, për një të gërvishtur të makinave. Ata kanë nisur të konfliktohen fizikisht ndërsa në ndihmë të babait dhe djalit janë futur disa të njohur të tyre, të cilët janë larguar me makinë sapo ka mbërritur policia. Problemi më i madh qëndron në momentin kur në vendngjarje vjen “shteti”. Në vend që të qetësojë dhe sqarojë situatën, polici rri si shul i gjatë dhe nuk reagon fare kur palët në konflikt nisin të zihen e grushtohen në sy të tij. Polici me uniformë, i cili dyshohet të jetë një polic i rrugores, luan i qetë me telefoni, edhe pse disa centimetra nga sytë e tij ndodhi skena e shëmtuar. Se çfarë ndodhi më tej e se si shkoi kjo ngjarje nuk e dimë, ama, veç sherrit, i cili mund të kuptohet deri diku pasi po ndodh në gjaknxehtësi e sipër, ajo që është e pajustifikueshme, është sjellja e policit me uniformë. Kjo është #polciaqëduam? Apo na duhet vetëm për të na vënë gjoba?