Të “mëdhenjtë” përplasen në Gjilan

Erdhi kryeministri i vendit në Gjilan dhe zbrazi një mal premtimesh, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i LDK-së, subjekt ky që shumë bazohet në numrin e ulëseve në Asamble dhe veten e quanin më të madhin.

Hashim Thaçi, kryeministër i vendit, gjatë qëndrimit në Gjilan, ka thënë se kanë investuar në këtë komunë 90 milionë euro dhe deri në fund të vitit do të derdhin edhe dhjetë milionë të tjera, kurse Lutfi Haziri, deputet në Kuvendin e Kosovës, që ka mbajtur një konferencë me gazetarë, ka thënë se qeveria e tashme nuk realizoi asnjë premtim elektoral.

Hashim Thaçi përmendi ndërtimin e autostradës Ferizaj – Gjilan – “Dheu i Bardhë” e Lutfi Haziri, ia rikujtoi atij premtimin për ndërtimin e hekurudhës Gjilan – Bujanoc, i cili nuk ndodhi kurrë, por edhe gjendjen faktike se sa larg e la Gjilanin prej rrugës së kombit dhe se në këtë qytet nuk ka asnjë metër autostradë. Në premtimet e kryeministrit Thaçi për Universitetin e Gjilanit, i cili do të jetë strehë edhe për studentët e Luginës së Preshevës, Lutfi Haziri, tha se duket se kuotat për ta nuk do të hiqen e, sipas tij, në këtë universitet duhet regjistruar më shumë studentë nga Lugina.

Premtimin e Thaçit për komunën e Zhegrës, Lutfi Haziri e ka quajtur premtim me motiv elektoral. Ai ka rikujtuar se Zhegra ka pasur ekspertizën teknike dhe më shumë se kushdo tjetër e ka merituar të bëhet komunë, por tashti kur është shpallur data e zgjedhjeve, kryeministri po shkel mbi gjithçka, për të joshur qytetarët e për të realizuar qëllimet sezonale.

Kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, tha se me rishikimin buxhetor Gjilani fitoi një milion euro, madje për të shlyer borxhe. Ai ka thënë se Gjilani është para kolapsit, në këtë qytet u shkaktua depresion politik e ekonomik për shkak të moszhvillimit dhe ka shtuar se Gjilani dhe Anamorava janë më të diskriminuarit nga ana e qeverisë,shkruan zeri.

Ai ka rikujtuar se edhe komunat e vogla po përfitojnë më shumë. Haziri, duke marrë shembuj nga qytetet e Kosovës, tha se Peja që është afërsisht sa Gjilani dhe një herë më pak taksa e mori dy herë më shumë, bile, sipas tij, edhe Graçanica merr investime dy herë më shumë se sa komuna e Gjilanit./LajmeOnline/

“Kryeministri është dashur të vijë në Gjilan e të jap zyrën për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe të zbatojë vendimet që u morën në Kuvendin e Kosovës ”, ka thënë Lutfi Haziri.