Të dielën nis stinori i ri në Formula 1

f1

Kampioni i Formula 1, Sebastian Vettel, dhe rivali i tij më i madh, Fernando Alonso, futen në garën e parë të edicionit të ri këtë fundjavë me pikëpamje krejt të ndryshme sa i përket historisë së fundit. Njëri po mundohet ta injorojë atë, ndërsa tjetri ta përdorë atë si shtytje. Piloti i Red Bullit, Vettel, futet këtë stinor me tre tituj rresht të botës dhe po synon të katërtin, derisa Alonso i Ferrarit në dy prej këtyre stinorëve, pati rastin të fitonte titullin, por dështoi.

Në këto rrethana, gjermani Vettel do të duhej të ishte i motivuar nga e kaluara e viteve të fundit, kurse spanjolli Alonso i dëshpëruar. Por, në fakt është krejt e kundërta. I pyetur të enjten se si do t’i qaset punës për të fituar titullin e katërt rresht, një gjë që e kanë arritur vetëm legjendat e këtij sporti si Juan Manuel Fangio e Michael Schumacher, Vettel pati një përgjigje të thjeshtë. “Sekreti është të mos mendosh për atë që ka ndodhur në tre vjetët e fundit”, ka thënë Vettel.

Alonso, që ishte kampion i dyfishtë i F1 me Renaultin, nuk ka qenë në gjendje të fitojë titull në tri vitet e tij me Ferrarin. Në vitin 2010 kishte humbur titullin në garën e fundit, siç ndodhi edhe vitin e kaluar. “Unë ndihem i privilegjuar që kam qenë në gjendje të luftoj për titull të botës dy herë në tri vitet e fundit. Shumë pak njerëz kanë mundësinë të luftojnë për titull të botës. Ne kemi humbur dy herë në tri vitet e fundit titullin në garën e fundit dhe duam të kemi rastin të luftojmë sërish për titull, shpresoj që këtë vit rezultati të jetë ndryshe. Kjo ndoshta është një motivim shtesë për mua dhe skuderinë”, ka thënë Alonso.

Gjasat e Alonsos për titull duken dukshëm më të mira se vitin e kaluar, pasi Ferrari gjatë testeve parasezonale ka qenë dukshëm më i mirë krahasuar me bolidin e vitit të kaluar. “Do të jetë vështirë të startohet më keq. Ky dimër ka qenë shumë më i mirë se ai i vitit të kaluar. Ne duhet të nisim me këmbë të mbarë dhe shpresojmë të arrijmë rezultat të mirë qysh në garën e parë. Askush nuk e di kush mund të fitojë garën e parë”, ka thënë Alonso.

Gara e parë e stinorit është ajo për Shpërblimin e Madh të Australisë, që mbahet këtë të dielën.