“Taxh Mahali”, mrekullia e ndërtuar nga një shqiptar

tajmihal_984618

Në homazh të mjeshtrit prof. Ramadan Sokoli, që këtë vit shënoi vitin e pestë të ndarjes nga jeta, sjellim një nga shkrimet e tij për projektimin e një prej mrekullive të dashurisë siç ishte Taxh Mahali. Zbulimet arkivore, në fund të viteve ‘80, e kanë çuar prof. Sokolin të pohojë se pallati monument u projektua dhe u ndërtua nga një shqiptar, prej Oparit të Korçës

 

Prof. Ramadan Sokoli

Në Indi një nga mrekullitë arkitekturore të botës, projektuar e ndërtuar nga shqiptari prej Oparit të Korçës, arkitekti kryemjeshtër Mehmet Isaja. Nga fundi i viteve 80, albanologu i shquar Ramadan Sokoli zbuloi me burime arkivore arkitektin shqiptar që projektoi e ndërtoi një nga mrekullitë e dashurisë dhe besnikërisë bashkëshortore, “Taxh Mahalin.

Ramadan Sokoli

Usta Mehmet Isaja

Gjurmët e krijimtarisë së mjeshtërve shqiptarë janë hetuar deri në Indinë Veriore, ku gjatë gjysmës së parë të shekullit XVII udhëhoqi punimet për njërën nga kryeveprat e arkitekturës: konkretisht “Taxh Mahalin” e Agras në bregun e lumit Jumna. Atje ishte themeluar në shekullin XV dinastia e mogulëve nga pasardhësit e Tamerlanit dhe të Xhengiz Khanit. Kjo dinasti me gjithë luftërat dhe kryengritjet, me gjithë grindjet e pareshtura në gjirin e familjes perandorake arriti kulmin e fuqisë politike dhe lulëzimin më të madh artistik në kohën e shah Xhahanit, i cili ishte prototipi i sundimtarëve mogulë.

Paraqitje moderne e Shah Xhahanit

Ambicia e tij arriti deri në atë pikë sa të ngrinte krye kundër babait të vet, Jahanxhinit, vetëm sepse i lakmonte fronin, prandaj e rrëzoi nga froni dhe e burgosi. Shan Xhahani përpiqej ta zbukuronte jetën e tij të zymtë me vepra artistike. Në kurtin e tij gëlonin poetët, muziktarët, dramaturgët, piktorët etj. Udhëtimpërshkruesi venecian Nikolo Manuci, i cili pati vajtur në kurtin e mogulëve, tregon se shah Xhahani organizonte vit për vit nga një panair 8-ditësh në Pallatin Perandorak, ku merrnin pjesë femrat më të bukura, të cilat zgjidheshin nga një komision ekspertësh. Në këtë klimë “dashurie” lëngonin vetëm princeshat e familjes mbretërore, të cilat thjesht për një “strategji” të shahut nuk mund të martoheshin, sepse dhëndurët lakmitarë mund të sillnin ngatërresa, përçarje e pjesëtim të pasurisë. Rrjedhimisht, princeshat e gjora veniteshin e mbeteshin lënesha të shah Xhahanit, i cili ishte dhënë veçanërisht pas ndërtimeve, siç dëshmojnë ndërtesat e bukura e me shije të stërholluar që u ndërtuan në kohën e tij. Por gjithë ai shkëlqim i sipërfaqshëm nuk e mbulonte dot dhunën dhe mjerimin, as nuk e fshihte dot shtypjen dhe shfrytëzimin e masave të gjëra popullore nga një pakicë feudalësh apo tregtarësh të pasur.

Në vitin 1629 shah Xhahani u prek thellë nga humbja e bashkëshortes së tij (Mumtaze Mahal), e cila vdiq lehonë. Shahu mendoi ta përjetësonte kujtimin e saj nëpërmjet një përmendoreje madhështore, që të mishëronte bukurinë e bashkëshortes, prandaj ftoi në Agra arkitektët më të përmendur të asaj kohe. Midis mjeshtërve që shkuan atje nga vendet e ndryshme ishte dhe oparaku usta Mehmet Isaja bashkë me bashkatdhetarët e tij, usta Ahmetin dhe lulishtarin Ismail Rumi. Këta mjeshtër me përvojë në teknikën e ndërtimeve ishin anëtarë të shoqatës së arkitekteve në Stamboll. Të gjithë mjeshtrit që vajtën në Agra i paraqitën shahut projektet e tyre. Pasi u shqyrtuan një nga një projektet e ndryshme, shah Xhahani zgjodhi pikërisht atë të usta Mehmet Isasë, të cilin e ngarkoi me drejtimin e punimeve.

Njëzet mijë veta: zejtarë, punëtorë të zgjedhur nga të katër anët, punuan plot 20 vjet rresht (d.m.th. nga viti 1630 deri në vitin 1650) për realizimin e kësaj vepre nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të kryemjeshtrit Mehmet Isaja, i cili kontrollonte zbatimin e projektit. Edhe lënda e ndërtimit: mermeri, gëlqerja, rëra e kuqërremtë, korali, sedefi, kristali, u sollën nga të katër anët. Për të gjitha këto u shpenzuan disa miliona rupi.

Pamje e njërit prej dekorimeve të realizuara me gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar

“Taxh Mahali” u ndërtua mbi një tarracë në bregun e lumit Jumna, dy km larg Agras. Planimetria e kësaj përmendoreje ka trajtën e një katrori me qoshe të prera. Të katra faqet i ka të njëllojta. Në të katra skajet e bazamentit ka nga një minare prej mermeri të bardhë. Përveç këtyre në krahët e “Taxh Mahalit” janë dhe dy godina: faltorja dhe bujtina për pelegrinët, ndërtuar me zhur të kuqërremtë dhe të mbuluar me kube prej mermeri të ndritshëm. Përpara mauzoleut shtrihet parku i bukur me pellgje e shatërvanë. Tërë ky ansambël monumental me plane të përpjesëtuara e të drejtpeshuara është realizuar në mënyrë të përsosur. Gjerësia dhe lartësia e mauzoleut në reliev është 57 metra, kurse lartësia e përgjithshme e “Taxh Mahalit” nga niveli i tokës deri në majën e kubesë qendrore arrin 74 metra. Kjo kube qendrore është e rrethuar nga katër kube më të vogla. Gjithashtu brendia e këtij mauzoleu të ndarë në katër kthina të mëdha të mahnit me harmoninë e përpjesëtimeve, trajtave e ngjyrave. Nëpërmjet dritareve të daltuara në mermerin e kubesë qendrore depërton përbrenda një dritare kaltëroshe, që tretet me tonet e zbukurimeve të mozaikut, agatit, koralit etj. Qivuret e dy bashkëshortëve janë vendosur pas një ndarëseje të lahurishme. Një nga çuditë e këtij mjedisi është dhe cilësia akustike: aty çdo zë e çdo tingull kumbon gjatë për disa sekonda.

Kryemjeshtri gjenial i kësaj vepre eklektike ka ditur të ujdisë përvojat dhe stilet e mjeshtërve të ndryshëm, bashkëpunëtorëve në një tërësi të harmonishme. E me të vërtetë, duke soditur pamjen e “Taxh Mahalit” të pushton një mbresë harmonie dhe qetësie: ajo ndërtesë mermeri, që zbardhëllen midis qiparisave të lulishtes, ka diçka të mahnitshme në përpjesëtimet sqimatare të vijave nga baza e saj deri te maja e kubesë qendrore. Me të drejtë ky mauzole vlerësohet jo vetëm si përmendorja më e shkëlqyer e Agras, por madje admirohet si një ndër kryeveprat më të bukura të historisë së arkitekturës botërore. Jo më kot u mbiquajt “përmendore e mrekullueshme e dashurisë dhe besnikërisë bashkëshortore”.

Vlerat artistike të “Taxh Mahalit” nuk qëndrojnë vetëm në drejtpeshimin e përmasave të harmonishme apo në hijeshinë dhe begatinë e zbukurimeve, por qëndrojnë njëkohësisht në mjeshtërinë e përsosur të realizimit dhe në unitetin e mendimeve: aty janë shkrirë më së miri përvoja e lartë shkencore me prirjen artistike dhe me frymëzimin poetik.

Trajtat arkitektonike me pastërtinë dhe me qartësinë e linjave përkatëse e nxjerrin edhe më në pah zbukurimoren e stërholluar, që e vesh ndërtesën me një bukuri të pashoqe. Vetë cilësia e lëndës së ndërtimit ndikon në mbresat që ushtron pamja e kësaj kryevepre: ngjyrat e ëmbla të mermerit me ndryshimet e nuancave sipas kohës i japin trajtave të kësaj përmendoreje një lehtësi të veçantë e, si të thuash, të ajrishme. “Taxh Mahali” duket veçanërisht tërheqës pasditeve, kur bie vapa e kur mermeri nxjerr në pah disa nuanca të këndshme në ngjyrë trëndafili, por edhe më tërheqës duket netve me hënë të plotë: atëherë ka një pamje përrallore. Soditja e kësaj kryevepre lë mbresat e dëgjimit të një muzike të papërsëritshme. Bukuria e këtij mauzoleu kurorëzohet nga natyra me kushtet që e rrethojnë.

Taxh Mahali i reflektuar në lumin Yamuna

Për sa i përket jetës së kryemjeshtrit të kësaj kryevepre hëpërhë kemi fare pak njoftime. Pasi krijoi këtë kryevepër të amshuar, rrezikoi të pësonte fatin e sa e sa arkitektëve të mbuluar nga anonimia. Historianët e artit kanë shfaqur mendime dhe hamendësime të kundërta për kombësinë e tij gjoja persiane, indiane, bizantine, italiane etj., por sipas të dhënave dokumentare, që u zbuluan vitet e fundit, del se usta Mehmet Isaja ishte shqiptar nga Opari (malor i krahinës së Koçës), sipas bashkëkohësit të tij (të usta Mehmet Isaja) Xhaferr Çelebiu, në një dorëshkrim turqisht me titull “Broshura e arkitekturës”, e cila ndodhet në thesarin e bibliotekës së pallatit “Top-kapi” të Stambollit. Me sa duket, “Taxh Mahali” është vepra e fundit e këtij mjeshtëri – usta Mehmet Isaja. Gojëdhëna tregon se, kur e pa shah Xhahani këtë vepër të përfunduar, u kënaq shumë dhe u mburr se një përmendore kaq të përsosur, një parajsë e këtillë mund të ndërtohej vetëm në Agra, ku çmoheshin artistët së bashku me veprat e tyre… (këtu e më pas trepikëshi i autorit). Pastaj thuhet se shahu e paska pyetur usta Mehmet Isanë nëse mund të ndërtonte prapë një tjetër vepër si kjo. Kur kryemjeshtri iu përgjigj: “Po, ndoshta edhe më të bukur”, shah Xhahani u turbullua nga kjo përgjigje e si shpërblim për gjithë këtë punë dha urdhër të burgosej menjëherë kryemjeshtri fatkeq dhe të verbohej. Kështu, usta Mehmet Isaja nuk do të kishte më asnjë mundësi të ndërtonte prapë diçka të bukur.

Më vonë, në shtator të vitit 1657, kur u hap lajmi se shah Xhahani ishte sëmurë rëndë, njëri nga djemtë e tij, gjakësor e bir gjakësori, i cili priste me padurim ditën për ti zënë vendin në fron, sulmoi Agran, e pushtoi me forcë dhe, pasi e shfronësoi të atin, e burgosi në kështjellën e atij qyteti, ku ngrysi jetën e tij me gjithë ambicien dhe shijen e hollë artistike… duke soditur nga dritarja e burgut me orë të tëra “Taxh Mëhallin”. Vetëm kur vdiq shah Xhahani, pas tetë vjetësh (më 22.01.1666) ia nxorën kufomën nga burgu dhe e varrosën në “Taxh Mahal” pranë bashkëshortes së tij.

Njëra nga katër minaret e vogla

Usta Mehmet Isaja nuk është i pari dhe as i vetmi artist shqiptar që punoi e krijoi larg atdheut, por është një ndër sa e sa mjeshtrit e dalë nga gjiri i popullit tonë, që pasuruan fondin ndërkombëtar me kryevepra.

Rrëfimi i mjeshtrit: Dorëshkrimi mbi Taxh Mahalin, si u zbulua

“Për sa i përket jetës së kryemjeshtrit të kësaj kryevepre hëpërhë kemi fare pak njoftime. Pasi krijoi këtë kryevepër të amshuar, rrezikoi të pësonte fatin e sa e sa arkitektëve të mbuluar nga anonimia. Historianët e artit kanë shfaqur mendime dhe hamendësime të kundërta për kombësinë e tij gjoja persiane, indiane, bizantine, italiane etj., por sipas të dhënave dokumentare, që u zbuluan vitet e fundit, del se usta Mehmet Isaja ishte shqiptar nga Opari (malor i krahinës së Korçës), sipas bashkëkohësit të tij (të usta Mehmet Isaja) Xhaferr Çelebiu, në një dorëshkrim turqisht me titull “Broshura e arkitekturës”, e cila ndodhet në thesarin e bibliotekës së pallatit “Top-kapi” të Stambollit. Me sa duket, “Taxh Mahali” është vepra e fundit e këtij mjeshtëri – usta Mehmet Isaja. Gojëdhëna tregon se, kur e pa shah Xhahani këtë vepër të përfunduar, u kënaq shumë dhe u mburr se një përmendore kaq të përsosur, një parajsë e këtillë mund të ndërtohej vetëm në Agra, ku çmoheshin artistët së bashku me veprat e tyre… (këtu e më pas trepikëshi i autorit). Pastaj thuhet se shahu e paska pyetur usta Mehmet Isanë nëse mund të ndërtonte prapë një tjetër vepër si kjo. Kur kryemjeshtri iu përgjigj: “Po, ndoshta edhe më të bukur”, shah Xhahani u turbullua nga kjo përgjigje e si shpërblim për gjithë këtë punë dha urdhër të burgosej menjëherë kryemjeshtri fatkeq dhe të verbohej. Kështu, usta Mehmet Isaja nuk do të kishte më asnjë mundësi të ndërtonte prapë diçka të bukur”.

(Standard)