“Surpriza” e qeverisë “Rama 2”, Majlinda Bregu Ministre e Diasporës?

Me kritikat e ashpra që dje Rama i bëri Ministrisë së Jashtme dhe drejtuesve të saj, pritet që emrat e ministrave të jenë surprizë dhe mund të shkohet deri aty sa pjesa më e madhe e kabinetit të vjetër të mos përshihet në ekipin e mandatit të ardhshëm.

Rama lajmëron dhe krijimin e Ministrisë për Diasporën Qeveria e re do të shpallet të dielën. Ky është lajmi i dytë që dha dje kryeministri Rama pas kritikave të ashpra që u bëri ambasadorëve shqiptarë dhe Ministrisë së Jashtme në lidhje me “zero rezultatet” siç e quajti punën e tyre për të lobuar e sjellë në vend investitorë të huaj.

Rama lajmëroi dje edhe krijimin e një ministrie të re, asaj të Diasporës, të cilës i kushtoi një pjesë të mirë të fjalimit para ambasadorëve. “Dua t’ju informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasjeje të re, qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”.

Pikërisht për këtë post të ri dje në ambientet politike qarkullonin disa kandidatura dhe mes tyre edhe ish-ministrja e Integrimit dhe ish-deputetja e PD, Majlinda Bregu, e cila përveçse një njohëse e mirë e proceseve integruese, ka edhe njohje me vlerë në nivele të larta të KE dhe PE çka e dëshmoi edhe me negociatat e fundit për krizën politike për bojkotin e zgjedhjeve nga PD. Vlerësimi i Ramës për punën e Bregut vjen që gjatë mandatit të kaluar qeverisës, ku ish-ministrja e PD mbante postin e kryetares së Komisionit të Integrimit.

Në momente kyçe për fatin e hapjes së negociatave në mbledhjet e përbashkëta Shqipëri–BE, Bregu ka kërkuar gjithmonë hapjen sa më parë të këtyre negociatave.

Burimet shtuan se kandidatura e Bregut është në diskutim dhe mund të realizohet me qëllim për të treguar hapje ndaj opozitës dhe pikërisht në një nga postet që ka të bëjë me raportet me jashtë.

Para një viti mediat kanë shkruar se Bregu ka marrë një propozim për rolin e kryenegociatores së Shqipërisë me BE pas hapjes së mundshme të negociatave. Por me shtyrjen e tyre edhe propozimi nuk pati rastin të vërtetohej