Superkupa e Europës, Ronaldo në dyshim

Real Madrid's Cristiano Ronaldo stretches at the end of a training session at Real Madrid's training grounds in Valdebebas, outside MadridCristiano Ronaldo është në pikëpyetje për Superkupën e Europës kundër Sevillas, që do të luhet më 12 Gusht në Cardiff. Luzitani do ta nisë sezonin e ri pa u sforcuar për të mos përjetuar sërish problemet e muajve të fundit. Të paktën kështu u ka thënë miqve të tij ylli i Reali i Madridit, i cili pritet të bashkohet me skuadrën të Shtunën për turin përgatitor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga pjesëmarrësit e Botërorit janë bashkuar me Realin Pepe dhe Coentrao, ndërsa priten Ramos, Casillas e Modric, por për shkak të problemeve të fundit në kavilje, Ronaldo do të pushojë disa ditë më shumë se të tjerët. Telashet në këmbën e djathtë të portugezit u shfaqën që në ndeshjen me Dortmundin në Prill, kulmuan më pas gjatë finales së Champions League, ndërsa nuk e kanë lënë të qetë edhe në ndeshjet e Kupës së Botës. Me frikën e komplikacioneve të panevojshme, nuk do të ishte aspak e habitshme nëse Ronaldo nuk do të jetë në Cardiff përballë Sevillas.

Nuk ka asnjë arsye për të nxituar, qoftë nga lojtari apo qoftë nga stafi teknik. Të paktën deri në këto momente, duket mjaft e vështirë që dy herë fituesi i Topit të Artë të jetë në fushë për debutimin zyrtar të Realit në sezonin e ri.