Sulmuesi kosovar ‘çmend’ Bundesligën 2

E nënvlerësuan shumë, por tani është rikthyer më i fortë se kurrë, duke shënuar pothuajse në çdo ndeshje. Fjala është për sulmuesin kosovar, Ilir Azemi i cili ka vazhduar formën e tij të mrekullueshme duke realizuar gola. Në ndeshjen kryesore në Bundesliga 2, mes Paderbornit dhe Gruether Furthit, Iliri ka qenë hero për skuadrën e tij, duke realizuar dy gola në këtë përballje, e cila luhej për pozitën e dytë, që siguron ngjitjen në elitën e futbollit gjerman.
Fillimisht, Iliri shënoi në minutën e 55-të, për ta barazuar rezultatin, ndërsa golin e dytë e realizoi në sekondat e fundit të ndeshjes për t’i siguruar një pikë të artë Furthit.

“Shyqyr Zotit arrita që t`i shënojë edhe dy gola dhe t’i ndihmoj shumë skuadrës për t’u inkuadruar në Bundesligë. Ishte ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe unë arrita të jem hero për Furthin, dhe kjo më bënë shumë të lumtur”, tha Azemi për Arenën.