Sulmohet me predhë një shtëpi në Beleg të Deçanit

loading...

f1_sulmi-beleg1363855495

loading...
Prishtinë, Deçan, 21 mars – Një predhë ka depërtuar pak para mesnatës të martën në shtëpinë e V.Zukajt në Beleg të Deçanit, në një sulm të cilit i kanë shpëtuar anëtarët e familjes së tij, por dëmet materiale kanë qenë të mëdha.

“Nga mjeti shpërthyes nuk ka pasur viktima dhe të lënduar, por nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme. Njësitet policore përkatëse menjëherë janë përgjigjur rastit, po ashtu edhe hetuesit në nivel lokal dhe rajonal”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj. Policia nuk ka sqaruar se cili është motivi i këtij sulmi, por mësohet se ai mund të ketë zanafillë nga konflikte të mëhershme që Zukaj ka pasur me Bedri Krasniqin dhe grupin e tij. Krasniqi është duke e vuajtur dënimin për vrasjen e policëve Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, si dhe për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina nga Gllareva e Klinës.

Ibraj ka thënë se të gjitha veprimet rreth hetimit të këtij rasti janë të koordinuara ngushtë me Prokurorin e shtetit të Prokurorisë Themelore. Ai ka deklaruar se vendi i ngjarjes është siguruar nga njësitet policore, kurse këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes është bërë të mërkurën nga njësitet përkatëse policore.

“Hetuesit janë duke mbledhur prova dhe dëshmi për të mësuar të gjitha rrethanat dhe motivin e këtij rasti, si dhe për të identifikuar kryerësit e mundshëm të kësaj vepre”, ka thënë ai.

Zukaj është sulmuar me armë edhe herë tjera. Vitin e kaluar Gjykata e Qarkut në Pejë kishte dënuar me pesë vjet burgim Dervish Idrizajn, për një sulm të armatosur në vitin 2009, në Deçan. Ai ishte dënuar për veprën penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Të akuzuarit për bashkëkryerje, Bedri Krasniqi dhe Isuf Idrizaj, ishin liruar në mungesë provash.

Sipas aktakuzës, në pikën e parë të saj, Bedri Krasniqi dhe Dervish Idrizaj, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me çështje biznesi, me të dëmtuarin V. Zukaj, kanë tentuar ta vrisnin atë. Që të dy, me armë në dorë i janë ofruar atij, afër marketit “Tropikana” në Deçan, me ç’rast, sipas aktakuzës, Dervish Idrizaj ka shtënë me revole disa herë. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Zukaj duke e plagosur Idrizajn.

Në pikën dy të aktakuzës, tre të pandehurit si bashkëkryerës ishin akuzuar se kanë tentuar të hakmerren për këtë plagosje. Në fshatin Kliqinë, përgjatë rrugës, Pejë – Prishtinë, sipas aktakuzës, të pandehurit e kishin përcjellë dhe kishin shtënë me armë në drejtim të veturës së Zukajt, në të cilën ishte me djalin 10-vjeçar. Zukaj u kishte mbijetuar tri plumbave që kishte marrë në kokë, ndërsa djali kishte kaluar me një lëndim të lehtë. Në mungesë provash, të pandehurit janë liruar nga pika e dytë e aktakuzës (koha).

loading...