Stuhia El Clasico

Barcelona-Real-Madrid-Nou-Camp-El-Clasico_2840468

Bëhuni gati për një stuhi të përballjeve El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit. Gjigantët e futbollit spanjoll do të ndeshen tre herë brenda pak më tepër se një muaji. Reali do të luajë kundër Barçës në dy ndeshjet gjysmëfinale të Copa del Rey më 30 janar dhe 26 ose 27 shkurt. E më pas do të ndeshen sërish në kuadër të La Ligës më 2 mars.

Adhuruesit e futbollit do të jenë të lumtur nga programi i muajit shkurt dhe fillimit i marsit. Sidomos ata që pëlqejnë La Ligën. Po vjen një stuhi e përballjeve El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit.

Ngjashëm me atë që ndodhi në prill 2011 por kësaj radhe dy gjigantët e futbollit spanjoll do të ndeshen në Copa del Rey dhe La Liga. Reali dhe Barcelona do të zhvillojnë tre duele brenda diçka më tepër se një muaji.

Gjysmëfinalja e Kupës do të fillojë më 30 janar në Santiago Bernabeu kurse ndeshja e kthimit më 26 ose 27 shkurt. Kurse më pas vjen ballafaqimi në kuadër të La Ligës më 2 mars në Santiago Bernabeu. Të dyja skuadrat e kanë orarin mjaft të ngjeshur.

Reali pret Manchester Unitedin më 13 shkurt në kuadër të ndeshjes së parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve kurse do të vizitojë Old Traffordin më 5 mars, vetëm tre ditë pas El Clasicos në ligë.

Kurse, Barcelona do të udhëtojë në Milan më 20 shkurt e më pas pret italianët më 12 mars. Tre El Clasico brenda një kohe kaq të shkurtër rikthejnë kujtimet e katërt përballjeve nga edicioni 2010-11 brenda tre javësh në La Ligë, gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe finalja e Copa del Rey.

Por, përballjet e javëve në vazhdim e gjejnë Jose Mourinhon në pozitë aspak të sigurt në Real Madrid. Gjiganti madrilen është aktualisht në pozitën e tretë në La Ligë me 15 pikë më pak se lideri Barcelona.

Për më tepër së fundmi kanë qarkulluar spekulime rreth përçarjeve në skuadër dhe thuhej se ka futbollistë të cilët i kanë dhënë ultimatum kryesisë së klubit ta largojnë portugezin në fund të sezonit.

Për më tepër, Reali në mesjavë humbi kapitenin Iker Casillas. Portieri nuk do të jetë në gjendje të paraqitet në duelet kundër Barcelonës e as në përballjet e 1/8 së finales kundër Manchester Unitedit pasi pësoi frakturë në dorën e tij të majtë në barazimin 1-1 me Valencian të mërkurën.

“Casillas është kapiten, emblema e Realit. Edhe pse portieri i dytë Adan është portier i mirë, fakti se ata do të paraqiten pa kapitenin e tyre do të ketë ndikimin e tij”, deklaroi qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique.