Studimi: Njerëzit mund të vdesin nga “thyerja e zemrës”

Humbja e njeriut të dashur për dikë mund të shkaktojë dyfishim të rrezikut ndaj infarktit ose ndalimit të zemrës
timthumb (3)
Humbja e një njeriu të dashur mund ta thyejë vërtet zemrën e dikujt. Kërkimi tregon se rreziku i infarktit ose ndalimit të zemrës dyfishohet në muajin e parë të vdekjes së një personi të afërt. Rreziku fillon të largohet pas disa muajsh, sipas studimit të kryer mbi 30000 britanikë.

Ekspertët besojnë se zbulimet tregojnë sesa e rëndësishme është sindroma e zemrës së thyer. Sunil Shah, studiuesi që drejtoi kërkimin e Universitetit të Londrës, tha se trishtimi i ndjerë nga partneri mbijetues për humbjen që pësoi mund ta bëjë atë të mos kujdeset për problemet e veta shëndetësore. Këta persona shpesh harrojnë të marrin mjekimet, të cilat ia mbajnë sëmundjet larg.

“Ekzistojnë prova nga studime të tjera, se të qenët në zi çon në një varg përgjigjesh negative fiziologjike ku përfshihet tensioni i gjakut, çlirim i hormoneve të stresit dhe çrregullim i kontrollit të rrahjeve të zemrës”, thotë dr. Shah.

Të gjitha këto kontribuojnë në rritjen e rrezikut për ngjarje si ataku në zemër dhe infarkti pas humbjes së një partneri të dashur.

“Ne kemi zbuluar, në një studim tjetër, se në muajt e parë pas ndodhisë fatkeqe, personat e studiuar nuk i merrnin rregullisht ilaçet për uljen e kolesterolit apo aspirinat”, tha një prej shkencëtarëve.

Ndërprerja e papritur e këtyre ilaçeve që kërkojnë përdorim të vazhdueshëm dhe të rregullt mund të ndikojë në rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.

Ka rëndësi që doktorët, miqtë dhe familjarët të jenë në dijeni të rrezikut të problemeve të zemrës në mënyrë që të sigurojnë mbështetje për personin që sapo ka humbur njeriun e tij më të dashur.

Për shkak të stresit të shkaktuar nga zia, ndikimi në shëndet është i menjëhershëm. Nga ana tjetër, humbja e gjumit dhe oreksit çon në depresion dhe në çrregullim të sistemit imunitar dhe përkeqëson situatën aktuale të atyre që kanë sëmundje.

Studimi i kryer së fundmi përdori të dhëna të 30.000 pacientëve britanikë nga mosha 60 deri në moshën 89 vjeç. Përfundimet u krahasuan me ato të 84 mijë individëve partnerët e të cilëve ishin akoma gjallë gjatë të njëjtës periudhë kohore.

Rreziku i atakut të zemrës është më i lartë në muajin e parë pas vdekjes së një të afërmi dhe fillon të ulet ngadalë përgjatë vitit.

Kërkuesit zbuluan se 0.16 për qind e pacientëve përjetonin atak zemre ose infarkt në 30 ditët e para të humbjes së një njeriu të dashur. Përqindja është dy herë më e lartë sesa pjesa tjetër normale e popullsisë.

Për të njëjtën periudhë kohore, rreziku i mpiksjes së gjakut në mushkëri ishte rreth dy ose tri herë më i lartë.

Gjatë tre muajve të parë, rreziku i problemeve me zemrën ishte afërsisht tri herë më i lartë, thotë një raport në JAMA Internal Medicine.

Kërkuesit zbuluan se kishte 25 për qind rrezik vdekje në vitin e parë të humbjes së partnerit mes çifteve të moshuara, ku kulmi ishin natyrisht tre muajt e parë.

Një studim i vitit të shkuar nga Cass Business School në Londër, zbuloi se rreziku i vdekjes së hershme rritej për partnerin mbijetues dhe ishte shumë më i lartë për të vetë.

Por pas periudhës së rrezikshme të 90 ditëve të para, personi që mban zi fillon të largohet nga rreziku i humbjes së jetës prej “zemrës së thyer”.

Xhuli Uard (Julie Ward), infermiere kryesore në Fondacionin Britanik të Zemrës, tha: “Humbja e një njeriu të dashur është një kohë tepër e ngarkuar dhe me emocione të stresuara”.

Në rrethana të tjera, stresi mund të jetë shkaktar i atakut të zemrës apo infarktit, por kjo do të ndodhte vetëm te njerëzit që kanë një sëmundje zemre.

Për të ndihmuar në pranimin e ndjenjave të hidhëruara, personi që po vuan ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga familja dhe miqtë, veçanërisht në 30 ditët e para që pasojnë zinë, ku niveli i stresit është shumë i lartë.

Ka tepër rëndësi që personi në fjalë të kujdeset për veten gjatë atyre katër javëve. Shkencëtarët kanë vërtetuar se divorci, operacionet dhe madje fitimi i një lotarie ka po aq gjasa sa vdekja e një të afërmi, në shkaktimin e atakut të zemrës.

Ky rrezik vjen prej çlirimit të adrenalinës dhe hormoneve të tjera të cilat janë të mira në nivele të ulëta dhe mesatare, por tepër të rrezikshme në nivele të larta.

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.