Studimi, Facebook ju ngjall ndjenjen e zilise ndaj miqve

loading...

Zbulimi vjen nga një ekip studiuesish gjermane të Departamentit të Sistemeve Informatike të “Technische Universität Darmstadt”.

760e1c5a-124d-43a9-bd8f-002b8a7d73e9---0-

loading...

 

Përcjellja e gjendjes shpirtërore në Facebook dhe publikimi i azhurnimeve apo risive personale mund të sjellin një ndjenjë frustrimi dhe zilie mes miqve të pranishëm në rrjetin tuaj të kontakteve. Këtë ka zbuluar një ekip studiuesish gjermane të Departamentit të Sistemeve Informatike të “Technische Universität Darmstadt” dhe të Institutit të Sistemeve Informative të “Humboldt-Universität” në Berlin. Ata kanë realizuar një kërkim për të monitoruar dhe vlerësuar ndjesitë e përdoruesve, që shkruajnë e ndajnë përvojat e tyre në Facebook. Të dhënat e mbledhura do të prezantohen me rastin e edicionit të 11-të të Konferencës Ndërkombëtare të Sistemeve Informative, që do të zhvillohet në Lajpcig nga 27 shkurti deri më 1 mars 2013.
Sipas studiuesve, zakoni për të azhurnuar profilin me informacione, foto, linqe dhe komente, shpesh përjetohet me një ndjenjë humbjeje dhe frustrimi nga ana e atyre që i lexojnë. Sidomos kur ata që shkruajnë evidentojnë suksese, fitore dhe kënaqësi të arritura në punë, në fushën sentimentale, apo thjesht në kohën e lirë. Praktikisht, mbi bazën e intervistave të bëra dhe nga të dhënat e mbledhura si rrjedhojë, duket se rrjeti shoqëror i famshëm, në vend që të afrojë njerëzit, rrezikon t’i ndajë, duke krijuar konflikte ndërpersonale.
Profesor Peter Buxmann dhe doktoresha Hanna Krasnova, të cilët kanë koordinuar studimin, tregojnë se përpara një suksesi të një miku që ka përcjellë gjendjen e tij shpirtërore në Facebook, më shumë se 30% e njerëzve të intervistuarve ka ndjerë mbi të gjitha ndjenja negative, sidomos frustrim. Për më tepër, nga studimi ka dalë se sensi i frustrimit, si pasojë e zilisë, është një fenomen shumë më i përhapur nga sa mund të mendohet. Po cilat janë kategoritë më të prekura nga kjo? Natyrisht, pjesa më e madhe janë përdorues që kalojnë kohën e lirë duke u informuar në rrjetet sociale. Si përfundim, sipas studiuesve, nëse hyn në “rrjetën” e zilisë, është e vështirë të dilet. Fundja, e gjithë kjo shërben për të ndezur një “efekt zinxhir” të kësaj ndjenje, përderisa ai që ndihet i frustruar nga një status entuziast i një miku të tij, ka tendencë të përmirësojë profilin e vet, duke futur një numër më të madh suksesesh të sajuara apo reale, por kjo nga ana tjetër sjell sërish zili te kontaktet e tjera, që po ashtu nga e tyre do të kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë për të mos qenë më prapa se miqtë e tjerë në Facebook. E kështu me radhë vazhdon “infektimi”.

loading...