Sportistët më të paguar

0Boksieri amerikan, Floyd Mayweather, ishte sportisti më i paguar në botë në vitin e kaluar, i ndjekur nga futbollisti i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, dhe basketbollisti i NBA-së, LeBron James.

Ky është përfundimi i nxjerrë nga revista amerikane “Forbes”, eksperte e ekonomisë. Mayweather i ka fituar 105 milionë dollarë gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa ishte sportisti më i paguar në botë në dy nga tri vjetët e fundit.

Ndër të tjera, boksieri, së bashku me golfistin Tiger Woods, janë të vetmit që e kalojnë shifrën prej 100 milionë dollarësh. Deri tash, boksieri i njohur i ka fituar 400 milionë.

Ylli portugez i futbollit ndalet në pozitën e dytë me 80 milionë dollarë. Në 12 muajt e fundit i ka fituar 52 milionë nga rroga dhe premitë me Real Madridin dhe 28 milionë për kontratat e ndryshme të imazhit.

Amerikani LeBron James, i cili deri tash ishte pjesë e Miamit, është pasuruar me 72,3 milionë dollarë falë rrogës dhe marrëveshjeve me markat e ndryshme, të cilat e ndihmuan të renditet në vendin e tretë.

Futbollisti i Barcelonës, Lionel Messi, i fitoi 64,7 milionë dollarë, përfshirë këtu kontratën me gjigantin katalunas dhe nga marketingu.

I pesti është basketbollisti tjetër amerikan, Kobe Bryant, i cili është pjesë e Los Angeles Lakers. Kobe u pasurua me 61,5 milionë dollarë, gjithashtu nga rroga dhe të drejtat e imazhit.

Sportistët më të paguar:

1. Floyd Mayweather (SHBA – Boks) 105 milionë dollarë
2. Cristiano Ronaldo (Portugali–Futboll) 80
3. LeBron James (SHBA – Basketboll) 72,3
4. Lionel Messi (Argjentinë – Futboll) 64,7
5. Kobe Bryant (SHBA – Basketboll) 61,5
6. Tiger Woods (SHBA – Golf) 61,2
7. Roger Federer (Zvicër – Tenis) 56,2
8. Phil Mickelson (SHBA – Golf) 53,2
9. Rafael Nadal (Spanjë – Tenis) 44,5
10. Matt Ryan (SHBA – Futboll amerikan) 43,8.