Sot merren vesh për datën e zgjedhjeve

loading...

loading...
Sot (e enjte) para orës 10:00 liderët e partive më të mëdha politike pritet të takohen me ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ku do të diskutojnë për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

“Epoka e re” ka marrë vesh se liderët e partive politike takimin me ambasadoren Jacobson do ta mbajnë në Ambasadën e SHBA-ve në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. “Nga ky takim pritet të arrihet pajtueshmëri për datën e zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë një burim i gazetës “Epoka e re”.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, më herët kishin zhvilluar një takim, me ç’rast ishin pajtuar që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor. Pas këtij takimi, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbajtur disa takime me liderët e partive të tjera politike, ku temë diskutimi ishte koha e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, profesor Xhavit Shala, ka thënë më herët për “Epokën e re” se Kuvendi i Kosovës mund të shpërbëhet në fund të muajit prill ose në fillim të majit, në rast se përfaqësuesit e partive dakordohen që zgjedhjet parlamentare në Kosovë të mbahen në qershor. “Nëse subjektet dakordohen për të mbajtur zgjedhje parlamentare në fillim të qershorit atëherë kjo i bie që në fund të prillit apo fillim të majit duhet të ndërmerret një veprim i tillë, vetëshpërndarje apo rrëzim i Qeverisë”, ka thënë Shala.

loading...