Sonte, Juventus-Celtic dhe Schalke 04-Galatasaray

galata

Sonte luhen dy ndeshjet e tjera të Ligës së Kampioneve ku Juventusi do të presë i qetë në Torino skuadrën e Celtic, ndërsa gjermanët e Shalke 04 duhet të mbrojnë barazimin 1-1 të arritur në Turqi përballë skuadrës së Gallatasarajit.

Skocezët udhëtojnë në Itali me misionin e pamundur për të përmbysur humbjen 0-3 në fushën e tyre dy javë më parë. Në këtë takim, trajneri i bardhezinjve, Antonio Conte ka paralajmëruar një rotacion në fushë për t’u dhënë më shumë minuta lojtarëve rezervë, megjithëse ka bërë thirrje për të mos nënvlerësuar kundërshtarin.

Në fushë pritet të mos jetë Markizio, Lihtshtajner dhe Vidal që do të zëvendësohen nga Isla, Pogba dhe ndoshta Xhakerini. Rotacioni shpreh ambicien e Juventusit për të luftuar sa më gjatë në të dyja frontet, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve për të fituar për të parën herë të dyja trofetë e rëndësishëm që nuk i ka arritur as me Platininë e Gaetano Scirea-n dhe as në periudhën e artë të Lippi-t.

Ndërkohë në Gjermani Shalke do të presë turqit e Gallatasarajit. Skuadra gjermane nuk po kalon një periudhë të mirë në kampionat, por në Ligën e Kampioneve ecuria ka qenë tjetër gjë. Zuri vendin e parë në grup duke lënë pas Arsenalin, ndërsa në takimin e parë të eliminatoreve direkt, barazoi në transfertë 1-1 ndaj skuadrës turke.