Skënderbeu, barazim historik me Bate Borisov – VIDEO

0Skënderbeu bën mrekullinë duke e mbyllur në barazim pa gola ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve në transfertën bjelloruse me Bate Borisov.

Skënderbeu bën mrekullinë duke e mbyllur në barazim pa gola ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve në transfertën bjelloruse me Bate Borisov. Një rezultat pozitiv ky për skuadrën korçare, pasi kampionët e Bjellorusisë janë një skuadër me eksperiencë në këtë kompeticion dhe me një buxhet disa herë më të madh.

Bate Borisov në vitet e fundit është klubi që ka vënë diktaturë në futbollin bjellorus, pasi e fiton titullin kampion pa ndërprerje që nga viti 2006. Në sezonin 2012-2013 Bate kaloi në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Bjellorusët ndodheshin në grup me Bayernin e Mynihut, Valencian dhe Lilën. Historike ishte fitorja 3-1 që ata arritën ndaj Bayernit të Mynihut.

BATE BORISOV-SKENDERBEU 0:0

BATE: Chernik, Gayduchik, Khagush (Gordeychuk 70′), Filipenko, Polyakov, Karnitski, Aleksievich, Krivets (Pavlov 70′), M.Volodko, Sihnevich, Rodionov. Trajner: Aleksandr Yermakovich

SKENDERBEU: Shehi, Arapi, Osmani, Ademir (Nimaga 74′), Vangjeli, Radaš, Progni (Jashanica 90+5′), Orelesi, Lilaj, Shkembi, Sefa (Ribaj 90+2′). Trajner: Mirel Josa

Gjyqtare: Georgi Kabakov, Ivan Valchev, Martin Margaritov (Bullgari)
Kartone te verdhe: Krivets 38′, Rodionov 54′ / Progni 43′, Radas 44′, Orelesi 50′, Arapi 70′, Sefa 72′

Skënderbeu ka zhvilluar që nga fillimi një ndeshje dinjitoze, duke mos u shfaqur inferior karshi një kundërshtari me emër, që është mësuar të luajë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Kujtojmë këtu se Bate Borisov luajti në një grup kualifikues me Bajernin e Mynihut në Champions, madje i mundi bavarezët me rezultatin 3-1 në Minsk. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa luajti me uniforma të reja, ato tradicionale, edhe me shpresën se do t’i sillte fat. Fantastik me pritjet e tij portieri Orges Shehi, superndeshje për Kristi Vangjelin, ish-mbrojtësin e kombëtares kuqezi, që ka luajtur edhe në Greqi e Ukrainë.

Në tërësi, Skënderbeu funksionoi edhe si grup, ku repartet mbështetën më së miri njëri-tjetrin dhe mundësuan ekuilibrin e domosdoshëm në veprimet defensive, sidomos, karshi Bate Borisovit, që ushtronte presing, ishte tërësisht e orientuar nga porta korcare dhe bëri gjithcka për ta zhbllokuar rezultatin e bardhë. Por kampionët e Shqipërisë nuk ditën vetëm të mbroheshin, sepse rrezikuan seriozisht, iu afruan ndjeshëm golit në minutën e 24-t me Orelesin. Goditja e mesfushorit kuqebardhë tronditi bjellorusët, duke ua qartësuar edhe më shumë idenë atyre se nuk do ta kenë të lehtë ndaj të besuarve të Mirel Josës. Dy kartonë të verdhë, të panevojshëm, në pjesën e parë për Prognin dhe Radasin, ndërkohë që luftoi shumë dhe e mbajti në panic prapavijën kundërshtare lushnjari Fatjon Sefa. Ai përbënte majën e ofensivës korcare, i mbështetur nga Lilaj dicka më pas, por edhe Progni e Shkembi.

Pjesa e dytë ka qenë më dominuese për vendësit, që nuk i kanë rreshtur sulmet e tyre drejt kuadratit korcar, por kanë hasur në një barrikadë të vërtetë të ndërtuar dhe ideuar me kujdes nga Mirel Josa. Pas 70 minutash lojë, trajneri i Bate Borisov bën dy zëvendësime të menjëhershme, duke dashur t’i japë një tjetër shtysë lojës së të tijve. Përforcimet bëhen në sulm, në përpjekje të ethshme për të shënuar, duke parë kalimin e minutave. Kryesori bullgar nuk i kursen kartonët e verdhë, sidomos për korcarët, disa prej të cilëve zverdhen rast pas rasti. Trajneri Josa vendos të bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 74-t. Braziliani Ademir ia lë vendin Nimagës, një lojtar tipik sulmues ky, që i bashkangjitet Sefës në repartin e përparmë. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë guxon shumë në këtë rast, duke tentuar të shfrytëzojë hapësirat e krijuara nga Bate Borisov, e hedhur e tëra në sulm. Kuqebardhët i luajnë 15 minutat e fundit me dy sulmues të deklaruar, duke iu përgjigjur me të njëjtën “monedhë” kundërshtarit, që pak e nga pak humbet qetësinë dhe në mënyrë dëshpëruese kupton se ndeshja ka prekur fundin dhe goli nuk ka dalë dot në dritë. Një barazim mbresëlënës i Skënderbeut në Minsk, ndaj një skuadre me shumë potrencial dhe me një buxhet dhjetëra herë më të madh, me eksperiencë në Ligën e Kampioneve, por që kishte katër mungesa të rëndësishme kësaj here.

Gjithcka do të nisë nga zero ndeshjen e kthimit në Korcë, kur do të vendoset edhe fati i skuadrës që kualifikohet për më tej. Kuqebardhët do të kenë me vete “lojtarin e 12-të”, tifozët e shumtë korcarë, të gatshëm për ta mbushur stadiumin e qytetit juglindor dhe për të qenë pjesë e rëndësishme e një kualifikimi të mundshëm tashmë, pas barazimit në Bjellorusi.