SKANDALI: Tiranë, Monumenti i Pavarësisë vidhet për skrap

Monumenti-i-Pavaresise-300x224

Vetëm 4 muaj pasi u inaugurua Monumenti i Pavarësisë, me një ceremoni madhështore me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit, elementët e bazamentit të tij janë vjedhur për t’u shitur për skrap.

Ky monument u ndërtua i tëri me pllaka bronzi, me një kosto prej rreth 350 mijë euro, ku vetëm një nga pllakat e tij kushtoi 400 euro, por burimet e policisë thonë se vjedhësit e kanë shitur njërën prej tyre për vetëm 2 mijë lek.

Ky monument historik u konceptua të kishte edhe deklaratën e Pavarësisë, së bashku me firmat e 40 delegatëve që ishin në Vlorë atë ditë. Por, qytetarët që e vizitojnë atë nuk kanë nguruar të shkruajnë emrat e tyre, apo të zhgarravisin firmat e mbi 40 delegatëve të Vlorës.

Vjedhja, sipas policisë, ka ndodhur dy ditë më parë dhe të mërkurën janë ndaluar dy të rinj. Pas konstatimit të vjedhjes, policia kishte vendosur agjentë pranë monumentit dhe teksa hajdutët u afruan sërish për të grabitur, ata u kapën në flagrancë nga uniformat blu.