S’ka zgjidhje për tensionet në Kuvend

Deputetë të LDK-AAK e Nismas në njërën dhe PDK-së në anën tjetër nuk kanë vendosur kurrfarë dialogu pas mbledhjes së kryesisë në shkuarje të Kuvendit. Ngjashëm kanë vepruar edhe liderët e të dyja blloqeve, duke e lënë të hapur mundësinë që të enjten, deputetë të të dyja palëve të konfrontohen fizikisht me qëllim që t`i zënë ulëset që janë në mes të Kuvendit të Kosovës.

Të dyja blloqet pretendojnë se u takon pjesa qendrore e ulëseve në Kuvend, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar. Caktimi i ulëseve e ka edhe domethënien e vet. Me të fituar vendin si grupi më i madh, fiton edhe të drejtën e kandidimit për postin e kryetarit të Kuvendit. Kështu që këto paqartësi, pritet të jenë pjesë e zhvillimeve dramatike të seancës konstitutive të 17 korrikut. Pas mbledhjes së kryetarit dhe kryesisë së kaluar të Kuvendit me liderët e partive parlamentare për propozimin e rendit të ditës së seancës konstitutive, kishin dalë sheshazi këto mospajtime./Tribuna/