Simeone fton tifozët: Bashkë e eliminojmë Barcelonën

loading...

0

loading...
Diego Simeone ka bërë thirrje ndaj fansave të Atletiko Madridit të japin kontributin e tyre në një natë të magjishme, që duhet të mbetet në histori, kur “Los Cholchoneros” të presin Barcelonën në “Vicente Calderon” për takimin e kthimit të çerekfinaleve të Champions-it, të mërkurën. Përballja e gjitha spanjolle është mbyllur në barazim 1-1 në “Camp Nou”, aty ku Nejmar barazpeshoi gjithçka pas avantazhit të brazilianit Diego, duke e çuar në 4 numrin e takimeve pa fitues mes këtyre dy ekipeve në këtë sezon.

Simeone është parë të nxisë tifozët e madrilenëve të jenë tepër të zhurmshëm, në fitoren e fundit të tyre 1-0 ndaj Vilarrealit të shtunën, një 3-pikësh që u mundësoi atyre të ruanin kryesimin në La Liga. Trajneri argjentinas kërkon të njëjtin kontribut, madje edhe më të fuqishëm, të tifozëve për të përkrahur ekipin e tij kundër 4 herë kampionëve të Europës, Barcelonës. “Njoh shumë gjëra në këtë klub, tifozët duhet të kuptojnë se çfarë është e rëndësishme për ne në këtë fazë të sezonit, pasi kemi zhvilluar kaq shumë ndeshje, – tha Diego Pablo Simeone. – Atmosfera është elektrizuese dhe sa më shumë përkrahje të kesh, aq më shumë energji dhe forcë fitohet për të rivalizuar me kundërshtarët. Kur njerëzit pyesin se “pse duhet të mbështesim Atletikon”, bëhet fjalë vetëm për këtë shkak. Ne jemi një ekip i apasionuar, kokulur, që punon fort dhe nëse do të na duhet të vuajmë, do të vuajmë”.

Në anën tjetër, Barcelona do të përballet me dëmtimet e lojtarëve kyç, si Viktor Valdes dhe Zherard Pike në transfertën e tyre të vështirë në kryeqytetin spanjoll. Gjithsesi, Mark Bartra, i cili do të zëvendësojë Pike në qendër të mbrojtjes katalanase, beson se “blaugrana”-t e kanë treguar tashmë aftësinë për të tejkaluar dëmtimet, pasi në këtë sezon kanë pasur mungesën e Lionel Mesit për të paktën 2 muaj. “Kemi pasur një fat të keq me dëmtimet, por ky grup ka treguar se mund t’i bëjë ballë situatave delikate. Duhet ta tregojmë edhe këtë herë këtë gjë dhe të japim më të mirën tonë”, – tha ai për faqen e internetit të klubit. “Kam besim të plotë se do të shkojmë në “Calderon” me shpresa të mëdha për t’u kualifikuar”.

Edhe Atletico do të ketë një mungesë të rëndësishme, atë të kryegolashënuesit Diego Kosta, i cili pati një dëmtim pas vetëm 30 minutash lojë në përballjen e parë të javës së kaluar. Megjithatë, duket se Simeone mund të ndërmarrë një risk të madh mbi supe, duke e rihedhur atë në fushë, pasi Atletiko synon gjysmëfinalet e Champions-it, për herë të parë që prej 1974-ës.

loading...