Si u bë Katari një nga lojtarët më të rëndësishëm global?

lajmeonline.net-post-thumbnail

“I njohur për atë që është i panjohur”. Kjo mund të thuhet për Katarin, një vend i vogël i Gjiri Persik, që shpesh paraqitet si një varëse e shtetit fqinj – Arabisë Saudite. Anëtarët e familjes në pushtet në Katar, Al Thani, në të kaluarën janë detyruar të lidhen me Riadin për shkak të frikës që të mos shkaktojnë tensione të panevojshme ose të tërheqin vëmendjen tek ta. Paqja dhe shpirtmirësia ishin prej kohësh modus operandi i Katarit. I pasur me naftë dhe gaz, i varfër me burime njerëzore dhe resurse të nevojshme shtetërore, shteti nuk ka mundur të mbrohet kundër fuqive dominuese në rajon. Por, ka pësuar transformime të jashtëzakonshme në vitet e fundit, raporton BBC.
Katari tash është kudo dhe përdorë pasurinë e madhe për të blerë rrokaqiejt, klube të futbollit, hotele, koleksione të rralla të artit, si dhe ofrimin e mbështetjes për rebelët në rajonin arab, e në gjithë këtë luan rolin qendror në çështjet diplomatike të politikës arabe.

“Si u bë një vend, që një kohë të gjatë ishte outsider rajohnal, të shndërrohet në lojtar në skenën botërore?”, pyet BBC.

Sot Katari është rezultat i 17 viteve të mbretërimit të qëndrueshëm të emirit Hamad bin Khalifa Al Thani, i cili mori pushtetin nga babai i tij në mënyrën më të qetë të mundshme.

Kalifi i vjetër, i cili jetën e kaloi në rivierën franceze, nuk i kishte ambiciet e djalin e tij, dëshira e të cilit ishte ta siguronte Katarin, sidomos pas përvojës së hidhur me invadimin e Kuvajtit më 1990 nga Iraku i Sadamit.

Për të qenë të sigurt, Katari nuk ka mundur të jetë më banor i heshtur i Gjirit, por është dashur të bëhet i dobishëm për botën e cila pastaj do të kishte interesa ta mbrojë, shkruan BBC. Mbi të gjitha, Katari duhej të ishte i rëndësishëm për SHBA-të: i vetmi vend i fuqishëm që mund të sigurojë mbijetesën e këtij shteti.

Kur Emiri i tashëm, Hamadi, erdhi në pushtet më 1995, ndryshimet filluan menjëherë. Ai e themeloi rrjetin televiziv “Al Jazeera”, të pranishme kudo në botën arabe, ndërsa ka filluar programe për të përmirësuar arsimin e Katarit, objektet shëndetësore dhe të infrastrukturës, të cilat i ka financuar me rritjen e prodhimit të hidrokarbureve.

Kohët e fundit luftoi me sukses për të drejtën për të mirëpritur Lojërat Aziatike 2006 dhe Kupën Botërore të FIFA-s më 2022. Dikur një shtet i mbyllur dhe i heshtur, tash po i hap krahët në mbarë botën.

Në Katar janë hapur shumë institute, galeri të artit, qendrat think-tank dhe ato kërkimore të cilat janë përdorur edhe për ndërtimin e dialogut civil dhe kulturor në vend. Qendrat rregullisht mbajnë diskutime mbi çështjet e politikës së jashtme dhe shqetësimet e brendshme me të cilat përballet vendi.

Banorët vendorë janë tradicionalisht njerëz pasivë dhe apatikë kur është fjala për gjëra politike, ndërsa tani e kuptojnë se ata duhet të fillojnë të kontribuojë më shumë.

Katari është një “kazan” i shkrirjes së vlerave moderne dhe ato tradicionale islame. Të rinjtë që rriten në atë mjedis, në shtetin e pasurive dhe privilegje, janë ndryshe nga prindërit e tyre, shumica e të cilëve kanë vuajtur nga mungesa e botës moderne, për çka nuk e dinin as datën e lindjes.

Derisa gjenerata e vjetër preferon tradicionalizmin, brezi i ri vazhdimisht shtynë kufijtë e normave shoqërore. Edhe në pjesët më konservatore të vendit nuk është e pazakontë për të parë djemtë e rinj dhe vajzat e reja duke u kapur për duarsh apo duke dalë në vendet publike.

Ata e dinë mirë historinë e shtetit fqinj, Dubait, që është hapur ndaj botës, ndërsa kulturën tradicionale e kanë vënë në sfond në favor të perëndimorizimit dhe të gjitha veseve që vijnë me këtë.

Nën të gjitha ato ndërtesa me shkëlqim, si dhe parave, ata janë shumë tradicionalë. Islami ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në jetët e tyre, dhe ndërsa haptazi pranojnë përfitimet e shumta të globalizimit, të njëjtën kohë tentojnë të kufizojnë veset perëndimore që kanë përfshirë Dubain.

Për më tepër, banorët vendorë më 2012 përbënin vetëm 15 për qind të popullatës së përgjithshme në vend (pjesën tjetër, 85 për qind, e përbëjnë punëtorët e huaj). Por, Katari nuk do të bëhet Dubai i ri, një frazë që shpesh mund të dëgjohet në mesin e banorëve lokalë. Me Riadin ultra-konservator në perëndim dhe Dubain shumë liberal në lindje, Katari tenton të jetë një shtet hibrid që ia del të ruaj kulturën dhe traditat e Gjirit, por me qëndrimet më të hapura dhe më tolerante sociale.

Në çështjet e jashtme vendi po ashtu është hiperaktiv. Pranvera arabe ka shënuar një moment historik për Katarin në sytë e botës. Përpjekjet e Katarit për zgjidhjet e problemeve në botën arabe kanë pasur reagime të përziera, veçanërisht nga ato shtete që besojnë se Katari ka një standard të dyfishtë në përpjekjet për të mbështetur revolucionet kundër diktatorëve në botën arabe, ose për t’u vënë në qendër të mosmarrëveshjeve diplomatike në vendet tjera.

Aventurizmi në çështjet e jashtme dhe zhvillimi i shpejtë të fushën e brendshme rrjedhin nga premisat e njëjta themelore: të shtyhen arabët të jenë më të angazhuar, më “modern” dhe konkurrentë në aspektin global, fillimisht me shtytjet financiare, por edhe me dhunë nëse kjo nevojitet.

Katari është produkt i pasurisë së pabesueshme të naftës dhe gazit, të elitës sunduese që ka vizion, dhe të popullsisë lokale që është e gatshme të pranojë diktatin e kësaj elite, përfundon BBC. /LajmeOnline/