Si ta mbroni zemrën tuaj?

Në botë sa vjen e rritet numri i të rinjve me sëmundje të zemrës, përderisa shumë njerëz vdesin si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare. Ekzistojnë hapa që secili prej nesh mund t’i ndërmarrë për përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe në këtë mënyrë të parandalojë vdekjen dhe invaliditetin e parakohshëm, që vjen si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare.

– Faktorët e rrezikshëm: Hapi i parë në përmirësimin e shëndetit të zemrës është njohja me faktorët që paraqesin rrezik. Pyetni mjekun tuaj sa është shtypja e gjakut? Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë duhet ndërmarrë me atë rast? Sa është kolesteroli në trupin tim? Cili është indeksi i masës trupore (BMI) dhe gjatësia e belit? A do të thotë kjo se duhet zvogëluar peshën shkaku i shëndetit? Sa është sheqeri në gjak dhe a ekziston rreziku për t’u prekur nga sëmundja e diabetit? Nëse është ashtu, çfarë duhet bërë? Sa duhet aktivitet fizik në mënyrë që të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës?

– Lini duhanin: Tymi i duhanit përmban shumë materie të dëmshme (më shumë se 4.000) që mund të dëmtojnë zemrën dhe enët e gjakut. Kur të ndaloni duhanin, rreziku se do të prekeni nga sëmundjet e zemrës vetëm pas një viti do të zvogëlohet dukshëm. Edhe duhanxhinjtë, që kanë konsumuar cigaren për një kohë të gjatë, nëse e ndërprenë do ta lehtësojnë punën e zemrës dhe të gjithë organizmit në përgjithësi.

– Aktiviteti fizik: Aktiviteti i rregullt fizik mund të zvogëlojë rrezikun nga sulmi në zemër, ndihmon që të rregulloni peshën dhe rregullon shtypjen e gjakut, kolesterolin e lartë dhe diabetin. Ajo që është më e rëndësishme, aktiviteti fizik zvogëlon stresin, i cili është një faktor kyç në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës. Aktiviteti fizik nuk nënkupton vetëm ushtrimet, por edhe marrjen me punët e shtëpisë, ngjitja shkallëve e gjëra të tjera.

– Ushqimi: Ushqimi, i cili porositet i gatshëm, nënkupton ushqim me sasi të lartë të kripës, yndyrave dhe kolesterolit. Ushqimet duhet të jenë të pasura me pemë, perime, drithëra, që mbrojnë zemrën. Peshku i detit, që është i pasur me acidet omega-3, pastaj salmoni, tuna, zvogëlojnë rrezikun për sulm në zemër. Nuk duhet konsumuar mishin e kafshëve, qumështin dhe djathin, përderisa ushqimi i shëndoshë nënkupton konsumimin e pemëve dhe perimeve.

– Stresi: Stresi ndikon negativisht në punën e zemrës, duke shpejtuar pulsin, ndërsa në anën tjetër kolesteroli dhe shtypja e gjakut rriten. Kështu që, merruni me stresin, mos shpenzoni forcën në imtësi, mendoni pozitivisht.

– Gjumi: Mënyra e ekuilibruar e jetës ndikon dobishëm në punën e zemrës. Ekspertët kanë vërtetuar se njerëzit që flenë vetëm pesë orë në ditë, për 30% janë më shumë të rrezikuar nga sulmi në zemër në krahasim me ata që flenë tetë orë.