Si mund të udhëtohet me avion, pa asnjë lloj frike

loading...

timthumb (4)

loading...
Psikologji

Largimi i frikës gjatë fluturimit me avion, nëpërmjet zbatimit të Teknologjisë së Lirisë Emocionale

Prof. dr. Xhelo SULO  

Në qoftë se dëshironi të largoni frikën e ekzagjeruar (fobinë) nga fluturimi me avion, ju duhet të filloni të njihni dhe mësoni të ashtuquajturën “Teknologjia e Lirisë Emocionale” ose shkurt TLE-në.

TLE-ja është një metodë shëruese e lehtë në të mësuar dhe e thjeshtë në të zbatuar. Ajo mund të mësohet dhe zbatohet nga cilido që beson se, ka vullnetin e duhur për të arritur qëllimet e veta në jetë.

Fobia ose frika e tejskajshme, që nxitet para ose gjatë fluturimit me avion, është një aspekt emocional negativ, me të cilin TLE-ja është duke u marrë prej një kohe të gjatë. Ajo ka synuar dhe vazhdon të synojë që, të mësojë sa më shumë njerëz për të flakur fobitë nga vetja e tyre, brenda disa minutave.

Personat që nuk kanë pasur asnjëherë fobi nga udhëtimet me avionët, pasi kanë përdorur TLE-së, tregojnë se: “tani na duket sikur, fluturimi me avion na pëlqen edhe më shumë se më parë”. Edhe dëshira për të fluturuar, është ndikim i TLE-së.

Një pasagjer i zakonshëm i udhëtimeve ajrore, i trajtuar me TLE-në para disa viteve, tregon se: “TLE-ja vazhdon ende të më çuditë, sidomos kur gjatë fluturimeve shikoj pasagjerë, që vuajnë aq shumë nga fobia e fluturimit”.

Është i rëndësishëm fakti që të gjithë ju, (burrë ose grua, i ri ose e re, nxënës ose student, civil ose ushtarak, sportist ose josportist), mund ta mësoni lehtësisht TLE-në, si dhe mund ta zbatoni atë me besim te vetvetja, nëse tregoni pak vendosmëri në drejtim të arritjes së këtij qëllimi. Për këtë, duhet që fillimisht, ju të mësoni disa aspekte metodike të TLE-së dhe ta zbatoni atë me korrektësi te vetvetja.

Lidhur me këtë sipërmarrje tuajën, ndihmon shumë mbajtja parasysh e këtyre udhëzimeve:

Aspektet specifike të fobisë!

Për të arritur te zbatimi i TLE-së te vetvetja, ju mund dhe duhet të lexoni fillimisht librin “Si të vetëshërohemi nga emocionet negative”, që tashmë ndodhet në tregun e librit të Tiranës. Studimi i këtij libri ndër të tjera, do të krijojë te ju edhe idenë e përgjithshme për të ashtuquajturit “aspekte specifike të fobisë”, mbi të cilët adresohet metodika e TLE-së. Njohja e thellë e konceptit “aspekti specifik i fobisë”, e bën TLE-në të kthehet nga shkencë në art. Prandaj, për “aspektet specifike fobike”, nënvizojmë posaçërisht se:

•    Shenjat e shqetësimit, merakut, ankthit, etjes, tharjes së gojës, etj., që ju ndieni te vetvetja para dhe gjatë fluturimit, janë të gjitha “aspekte fobike” dhe si të tilla, duhen mbajtur mend dhe duhen “goditur” një e nga një, me anën e TLE-së.

•    Në rastin kur te ju fillon “fobia” e fluturimit, sigurisht që mendja e juaj mbetet e lidhur më shumë pas një aspekti më të veçantë të fluturimit me avion. Pikërisht këtë aspekt më të veçantë, ju duhet ta “godisni” me anën e TLE-së. Kjo gjë mund të arrihet me një ose me disa seanca të TLE-së. Ju duhet të zbatoni seancat, derisa ai aspekt specifik i fobisë së fluturimit, largohet nga mendja e juaj. Kjo kuptohet sepse, pas kësaj mendja nuk mbetet gjatë tek ai aspekt, rrethanë ose ngjarje e dikurshme.

•    Në rast se ju keni eksperienca të hidhura fobike nga fluturimet e mëparshme, këshilloheni që gjatë fluturimit të lexoni një revistë, roman ose ndonjë material tjetër tërheqës për juve, si dhe të zbatonit të ashtuquajturën: “Procedura e Paqes Personale”, që komentohet gjerësisht në librin që u prezantua më lart.

Pas leximit të librit “Si të vetëshërohemi nga emocionet negative”, ju mund të klikoni edhe në adresat e internetit “My EFT” “EFT FAQ”, “EFT blocks” etj., ku do të gjeni udhëzime e këshillime të mëtejshme.

Në shkrimet dhe udhëzimet për TLE-në, si një metodë mjekësore e jashtëzakonshme ndaj fobive të ndryshme, bie në sy edhe porosia: “në qoftë se doni vërtet të largoni fobinë nga fluturimi, bëni një përpjekje dhe zbatoni TLE-në dhe nga kjo, nuk keni për të humbur asgjë, ndërkohë që ju mund të përfitoni gjithçka që ju duhet”.

Në kuadrin e të vetëmësuarit dhe vetëzbatuarit të TLE-së, sigurisht që dikush mund të ndiejë edhe ndonjë vështirësi dhe kjo është një gjë normale. Në raste të tilla, mund të kërkohet pak ndihmë te ndonjë specialist i kësaj fushe, i cili mund t’ju ndihmojë që të përshpejtoni rezultatet tuaja pozitive.

Zbatimi 100% korrekt i TLE-së, mundëson 100% efektshmëri shërimi nga fobia!

Studimet kanë vërtetuar se, TLE-ja funksionon shumë mirë ndaj të gjitha formave ose llojeve të fobive. Kjo do të thotë që: “çelësi i suksesit të TLE-së lidhet gjithmonë me zbatimin korrekt të metodikës së saj, në të gjitha drejtimet”. Kjo gjithashtu, do të thotë se: “mossuksesi i TLE-së nuk ka aspak lidhje me ndonjë pa aftësi ose me ndonjë mangësi shëruese të saj”.

Në rast se gjatë një fluturimi të ri (pas trajtimit me TLE-në), ju do të kishit sërish ndonjë shqetësim fobik, ky rast duhet kuptuar se, te ju vazhdon të ekzistojë ende një “aspekt” ose disa “aspekte” fobike, që nuk i kishit përfshirë në seancat ose “goditjet” e mëparshme. Në një rast të tillë, TLE-ja duhet të zbatohet pikërisht ndaj “aspektit” apo “aspekteve” të mbetura, derisa ju të mos ndieni asnjë shqetësim fobik.

Para fluturimeve me avion, është mirë të largoni me anën e TLE-së të gjitha shqetësimet, emocionet negative ose streset e jetës së përditshme. Në këtë kuadër: “hartoni, organizoni dhe zbatoni një stil pozitiv të jetës, të pasur me elemente sa më të balancuara, sa më të shëndetshme, sa më të gëzueshme”.

Një tregim i vogël me kuptim të madh

Një specialiste e njohur e TLE-së shkruante se, në klinikën e saj arriti një zonjë që nuk dinte asgjë për TLE-në. Në të vërtetë, zonja kishte dëgjuar për ekzistencën e një metode që largonte shqetësimet e njerëzve, por nuk njihte asnjë ekspert që mund ta zbatonte atë.

Zonja e porsambërritur tregoi se, ajo fluturonte shpesh në linjën Australi-Angli (afërsisht çdo 6 javë). Në fillim, ajo kishte ndier një lloj frike nga udhëtimi me avion, e cila ishte zmadhuar dhe përkeqësuar gjithnjë e më shumë, nga njëri udhëtim në tjetrin.

Madje, me sinqeritet dhe humor shtoi se, “ajo kishte fluturuar vetëm një herë me bashkëshortin e saj, më pas ai kishte refuzuar të udhëtonte sërish me atë”.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, zonja shtoi se: ankthi/fobia në secilin fluturim, i fillonte dy-tri javë përpara nisjes, kurse pikërisht një javë përpara nisjes, tek ajo shfaqej një diarre e keqe. Në fund të këtij rrëfimi, zonja ngriti duart lart dhe duke ulur kokën si me turp, shtoi: “Nuk dua të mendoj më për atë”. Dukej që te zonja fobike, nisi të zgjohej shqetësimi.

Ekspertja e klinikës e dalloi menjëherë shqetësimin e pacientes dhe në çast mendoi se: “do të ishte mirë që zonjës fobike t’i bëheshin pikërisht tani disa seanca TLE-je, përpara se tek ajo të shfaqeshin shenjat e forta të shqetësimit”, d.m.th. përpara se tek ajo të ndodhte shfaqja e plotë e fobisë së saj.

Ekspertja e bëri të njohur këtë mendim dhe i propozoi pacientes që, tek ajo të fillonte sa më parë trajtimin me TLE-në. Sigurisht, pacientja fobike e pranoi propozimin në fjalë dhe menjëherë, ato filluam zbatimin e TLE-së.

Pasi kishte përfunduar seanca e parë e trajtimit, ekspertja vuri re se: zonja fobike, kapi fort me duart e saj dy anët e kolltukut ku ishte ulur dhe po aq fort shtrëngoi dy gjunjët me njëri-tjetrin, ndërkohë që fytyra kishte marrë një pamje shumë të zbetë. Përveç këtyre shenjave, frymëmarrjen e kishte shumë të vështirësuar, sytë i mbante të mbyllur, kapakët dukeshin shumë të shtrënguar, nofullat dukeshin shumë të mbërthyera, kurse muskujt e trupit ndiheshin shumë të tensionuar.

Për eksperten e TLE-së, e gjithë kjo tablo nuk ishte e papritur. Ajo e dinte që bashkëbisedimi dhe seanca e parë e TLE-së, do të shkaktonte një riaktivizim të vatrës fobike në brendësi të trurit. Tabloja klinike që u shfaq ishte pikërisht “fobia” nga avioni, që në këtë rast u shfaq pa hipur në avion, që u shfaq vetëm sepse pacienti mendoi për atë vuajtje fobike.

Sigurisht që, ekspertja e TLE-së filloi menjëherë të zbatonte te pacientja seancën e dytë të trajtimit. Gjatë procedurës së “goditjes së pikave strategjike të trupit”, u deklarua me zë të qartë i ashtuquajturi “pohimi psikologjik”. Meqenëse pacientja fobike ishte e tensionuar dhe nuk ishte në gjendje që të deklaronte pohimin psikologjik, atë e deklaronte ekspertja e TLE-së, krahas goditjes metodike të pikave strategjike të trupit të pacientes. Pohimi psikologjik që u përdor, kishte formulimin e mëposhtëm:

“Megjithëse (pavarësisht se) ju jeni shumë e frikësuar nga fluturimi me avion dhe merrni frymë me shumë vështirësi, (etj………), ju e doni dhe e pranoni thellësisht dhe plotësisht veten tuaj”.

Seancat e TLE-së të shoqëruara me disa “pohime psikologjike” (sipas shenjave të shfaqura), vazhdoi derisa frymëmarrja e vështirësuar u normalizua.

Ndërsa nga njëra anë, zonja fobike ishte ende e tensionuar, ende e kapur pas krahëve të kolltukut, ende me sy të mbyllur, si dhe ende me nofullat e shtrënguara, nga ana tjetër, ekspertja e TLE-së dhe “vetë TLE-ja”, përpiqeshin të largonin ngushtimin e gjoksit, dhimbjen e kokës, dhimbjen e barkut, shtrëngimin e stomakut, tendencën e vjelljes etj. Nuk vonoi shumë dhe goditja metodike e pikave specifike, mundësoi largimin e të gjitha shenjave klinike të fobisë, njëra pas tjetrës.

Largimi i shenjave fobike u arrit pas disa seancave të fuqishme të TLE-së, gjatë të cilave u goditën shumë aspekte fobike me intensitet të lartë, që i përkisnin shkallës 10 ose afër shkallës 10.

Në përfundim të seancave, zonja dukej e çlodhur dhe e qetë. Ajo nuk ndiente askund dhimbje dhe nuk kishte asnjë tension muskular. Në këtë gjendje të re, ekspertja e pyeti atë që të imagjinonte se, si kishte qenë një javë para datës së fluturimit të saj me avion.

Ekspertja vërejti se, imagjinata e pacientes rreth asaj që i kishte kërkuar, nuk kishte forcën e duhur. Në vijim, ekspertja i kërkoi zonjës që, të mendonte mbi skenat e përgatitjes së bagazheve, hipjes në avion, fluturimit (udhëtimit) të saj etj. Edhe në këtë rast, imagjinata e saj rezultoi e dobët.

Prandaj, ekspertja i mbuloi sytë e pacientes me dorën e saj dhe vetë ajo (ekspertja) tregoi (përshkroi) me zë të qartë (si në një film të shkurtër) të gjithë procesin ose aspektet e udhëtimit dhe konkretisht: vendosjen e bagazhit te makina në oborrin e shtëpisë, rrugëtimin për në aeroport, hipjen nëpër shkallën e aeroplanit, uljen në sediljen e caktuar, ngritjen e avionit lart në qiell, udhëtimin mes reve, zbritjen në pistën e aerodromit, daljen nga avioni dhe pritjen te transportieri që sillte bagazhet personale.

Pas këtij “udhëtimi imagjinar”, u kryen edhe disa seanca të tjera të TLE-së. U konstatua se, te pacientja fobike ishte larguar imagjinata e dobët dhe se tashmë, ajo ishte e aftë të imagjinonte me intensitet të plotë.

Pas dy javëve, ekspertja i dërgoi ish-pacientes një mesazh, me pyetjen: “Si shkoi udhëtimi juaj i fundit”? Ajo u përgjigj menjëherë: Çdo gjë shkoi shkëlqyeshëm, e pabesueshme, të faleminderit?

loading...