Si i dënon Arsen Venger lojtarët e padëgjueshëm ?

loading...

images (1)

loading...
Arsen Venger nuk është vetëm një trajner mjaft i mirë përsa i përket përgatitjes teknike dhe taktike të lojtarëve, ai është edhe një edukues mjaft i rreptë. Kjo shpjegohet nga fakti se në murin e klubit të Arsenalit gjendet lista e plotë e rregullave që duhet të ndjekin lojtarët si dhe gjobat përkatëse nëse nuk i zbatojnë ato.

Lista e shumëllojshme e gjobave është publikuar nga një tifoz i Arsenalit, i cili e ka parë atë të vendosur në murin e qendrës stërvitore të klubit londinez. Sipas asaj që është publikuar nëpërmjet disa fotove, Per Mertesaker është mbledhësi i gjobave në emër të trajnerit, ndërsa ka për detyrë të kërkojë dyfishin nëse lojtarët e ndëshkuar nuk i paguajnë brenda javës.

Lojtarët milionerë të Arsenalit mund të ndëshkohen deri në 1 mijë paund nëse nuk shkojnë në stadium për të parë ndeshjet ku luan skuadra, edhe nëse ata nuk janë përfshirë në 18-she, me përjashtim të rasteve kur vetë trajneri i ka dhënë leje. Harresa e dorëzimit të kampionit të urinës për testet javorë në dy herë radhazi kushton 200 paund.

Por mbi të gjitha Venger ka treguar se është një ndjekës i rregullsisë së orareve. Vonesa në udhëtimet e skuadrës shoqërohet me një gjobë 500 paund, ndërsa 250 paund është ndëshkimi kur nuk je në kohë për një nga vaktet apo mbledhjet me skuadrën. Vonesa në stërvitje, fizioterapi apo masazh kushton 250 paund, me shumën e dyfishtë që aplikohet për çdo 15 minuta të tjera vonesë.

Një telefonatë brenda qendrës stërvitore të klubit kushton 500 paund, ndërsa lejohen vetëm SMS, pasi telefonatat prishin qetësinë e të tjerëve. Gjoba më e vogël është 100 paund dhe jepet kur merr me vete një gazetë, laptop apo telefon në dhomën e mjekut apo dhomat e zhveshjeve, ku nuk lejohet përdorimi i këpucëve me të cilat ke ardhur në klub.

Trajneri i Arsenalit mundohet të kontrollojë edhe mënyrën se si vishen lojtarët e tij, pasi çdo rrobë që ai e cilëson të papërshtatshme shoqërohet me një gjobë prej 100 paund.

Në fund të muajit, lista me shkelësit e rregullores dhe fotot e tyre vendoset në ekranin gjigand të dhomave të zhveshjeve. Ekzistenca e një listë të tillë është konfirmuar edhe nga vetë klubi i londinez pas publikimit të fotove të këtij tifozi.

loading...