Si e munda kancerin në mushkëri?

Të paktë janë ata qytetarë pejanë, që nuk njohin Xhevdet Belegun, i cili që nga vitet e para të pasluftës e deri në vitin 2011 i priu OJQ-së “Ta mbrojmë natyrën pa kufij”. Ky është njeriu që e deshi shumë natyrën dhe ka të ngjarë që natyra e shëroi me ndihmën e Zotit,shkruan gazeta Kosova Sot.

Xhevdeti punoi në pastrimin e këtij qyteti që nga ditët e para të pasluftës, duke filluar nga gërmadhat e shtëpive të djegura dhe shkatërruara nga lufta e deri te shtrati i Lumëbardhit, si dhe të gjitha sheshet dhe rrugët e qytetit të Pejës. Për 10 vite rresht OJQ-ja ku punoi, u mor me menaxhimin e mbeturinave, derisa nuk e ndaloi sëmundja, e cila e mbërtheu me shpatulla për shtrati.

“Fillimisht nuk ndihesha mirë dhe shpresoja të më kalojë, por kur shkova te mjeku, pas analizave të shumta me diagnostikuan me kancer në mushkri dhe atë në të dyja anët e mushkërive”, kujton sot Xhevdeti për gazetën “Kosova Sot” atë periudhë të para pesë viteve. Ai tutje shton: “Të them të drejtën, lajmin nuk e pranova me panik, më shumë më vinte keq për familjen dhe farefisin sesa për vete, dhe kjo më bëri disi të qetë. Nuk di nga erdhi ajo fuqi që ta ruaja qetësinë, por edhe besimi nuk më lëshonte se nuk do të dorëzohem lehtë”, kujton Belegu.

Sëmundjen besohet se e mori nga uraniumi i varfëruar

Sipas supozimeve të mjekëve, por edhe bindjeve të tij, shkakun e sëmundjes duhej ta kërkonte te puna që e kishte bërë me mbeturina për 10 vite rresht. “Mjekët pohonin se ky mund të ishte rezultat i rrezatimit të uraniumit të varfëruar, i cili mund të ketë qenë nga ato qindra e mijëra tonë mbeturina, me të cilat u mora për dhjetë vite. Kjo më bëri që dhe unë të bindem menjëherë në këtë, ngase në rajonin e Pejës ka pasur të hedhura kundër forcave serbe bomba me kaseta, që mund të kishin pasur uranium të varfëruar. Këtë e vërtetonte edhe fakti se është folur mjaft se probleme të tilla kishin pasur edhe disa pjesëtarë të KFOR-it italian, që kanë qenë në misione paqësore në Pejë dhe rajon”, është shprehur ai. Edhe sot e kësaj dite flitet në shumë qarqe për kontaminimin e tokave nga këto bombakasetë dhe prodhimeve bujqësore që nxirren nga këto toka, që mund të jenë edhe ato të kontaminuara e që e rrit dyshimin se në Pejë në vitet e pasluftës dukshëm është rritur numri i të prekurve nga kanceri, thotë ambientalisti Xhevdet Belegu.

Iu nënshtrua terapisë së rreptë

Belegu thotë t’i jetë nënshtruar terapisë se rreptë në QKUK, së pari në repartin torakal e më pas në onkologji nën mbikëqyrjen e dr. Ilir Kurtishit, të cilin dëshiron edhe publikisht ta falënderojë nga zemra për përkushtimin e madh të tij, por edhe për nivelin e tij të lartë profesional të kalibrit evropian. Mirëpo, Xhevdet Belegu si ambientalist i shquar dhe njohës i mirë i natyrës, thotë se krahas terapisë, nuk ka reshtur së kërkuari bimë të ndryshme mjekuese në ambientet përreth qytetit të Pejës, por edhe bjeshkët e Rugovës, Kopranikut, Mylyshevcit e gjetiu, dhe se vazhdimisht ka prodhuar lloje të ndryshme të çajeve, për të cilat është i bindur se e kanë ndihmuar edhe terapinë që ai e kishte për ta tejkaluar këtë sëmundje. “Falë Zotit, mjekëve, por edhe këtyre ilaçeve natyrore, të cilat vetë i prodhoja dhe akoma i prodhoj dhe i përdor vazhdimisht, krahas terapisë, e cila tani është shumë e lehtë ia kam dalë që pothuajse tërësisht ta mposht këtë sëmundje, e këtë e them në bazë të incizimeve dhe vlerësimeve të mjekëve nga Onkologjia e QKUK-së”, u shpreh Belegu. Kur ishte i sëmurë dhe pak kush priste se do të mbijetojë, në shenjë respekti për punën e madhe që bëri për qytetin e Pejës atë e dekoroi me medalje edhe ish-kryetari i Kuvendit komunal të Pejës, Ali Berisha. “Ishte kjo më shumë se mirënjohje”, kujton sot Xhevdeti dhe kjo e bëri që të ndihej krenar se ka bërë diç të mirë për qytetin e tij. Ai tutje shtoi:

“Ky ishte një infuzion shpirtëror që të mos dorëzohet para sëmundjes së kancerit, e cila më kërcënonte pamëshirshëm”. Edhe abientalistët e rinj pejanë, një vit më parë, kur hapën sipërfaqe të reja gjelbëruese buzë Lumëbardhit te vendi i quajtur “Sharra” hapën një Park të ri, të cilin e emërtuan me emrin “Xhevdet Belegu”, të këtij ambientalisti, i cili këto ditë iu ka kthyer aktiviteteve me OJQ ambientaliste “Let’s do Peja”. Ai ka një porosi për të prekurit nga kanceri se me vullnet të fortë, përkujdesje të rregullt mjekësore, disiplinë, mbështetje të familjes, por edhe me ndihmën e çajeve natyrale mund të rezistoni me sukses ndaj kësaj sëmundjeje. Ai falënderon nga zemra, së pari familjen, miqtë, shokët dhe dashamirët, të cilët i dhanë kurajë dhe e mbështetën fuqishëm, kur kishte më se shumti nevojë. Ai thotë se është i gatshëm që përvojat e tija, por edhe çajet që ai i ka punuar dhe i ka pirë vetë t’ua japë edhe të tjerëve që besojnë në te. Si e munda kancerin në mushkëri?