‘Si e menaxhova burgun e Smrekovicës’

Nëse ndonjë i burgosur bënte ndonjë gabim dhe kur qëndronte para drejtorit frikësohej, drejtori me buzëqeshjen e tij i bënte me dije se s’ka nevojë të frikësohet.

Ai ka qenë shumë i dashur për të gjithë dhe me të drejtë është konsideruar nga të gjithë si “babai i të burgosurve”. Kështu e ka menduar një i burgosur anonim në burgun e Smrekovicës, drejtorin Fahri Buçinca, në një letër rrëfimi. Më 1980, Buçinca do ta merrte detyrën e drejtorit të këtij burgu. Nuk do ta kishte të lehtë, për shkak të kohës kur nëpër burgje trajtoheshin si mos më keq shqiptarët.

Megjithatë, nga një qendër e dhunës, burgu i Smrekovnicës ishte shndërruar në një qendër kulture e emancipimi për të burgosurit deri në vitin 1990. Për gjithë këto vite sa e ka udhëhequr burgun, Buçinca i ka rrëfyer në librin e tij “Si e menaxhova burgun e Smrekovicës”. Përveç që i ka dokumentuar 15 fletore në të cilat kishte mbajtur shënime gjatë kësaj periudhe, librin ia ka dedikuar më të dashurës së tij, gruas, shkruan Tribuna.

“Librin ia kushtoj Naxhit. Edhe pse më ka thënë të mos e lexoj këtë pjesë, janë tri momente gjatë historisë që atë e kanë bërë disidente të kohës. Më 1968 ajo u diferencua nga komisioni i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Më 1981 i mbrojti studentët dhe demonstruesit. Më 1989 së bashku me Ibrahim Rugovën e Rexhep Qosjen, u përjashtuan nga puna për shkak se u solidarizuan me minatorët e Trepçës”, tha Buçinca./Tribuna/