Shtohen tensionet fetare në Egjipt, vritet një prift

Një prift kopt në gadishullin Sinai në Egjitp, ku duket se mbretëron anarki, është vrarë kur persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj tij. Prifti 39 vjeçar, Mina Aboud Sharween, është vrarë në kryeqytetin e provincës Sinai, El Arish.

Incidenti kërcënon që t’i nxisë tensionet sektare në Egjipt. Vëllazëria Myslimane e presidentit të përmbysur islamist, Mohammed Morsi, ashpër e kishte kritikuar Papën e koptëve, Tawardos, që është lider shpirtëror i afro 8 milionë të krishterëve në Egjipt, për mbështetjen e përmbysjes së presidentit nga ushtria.

Papa i koptëve, poashtu, është kritikuar për pjesëmarrjen e tij gjatë deklaratës së komandantit të forcave të armatosura të Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, kur ai shpalli se e pezullon Kushtetutën e këtij vendi. Sulmi i djeshëm kundër priftit kopt u bë një ditë pasi në El-Arish u vranë pesë policë.