Shqiptari që u gjet i vrarë dhe pa kokë, përdorej për trafik droge nga Saranda në Greqi (Video)


News24 siguron foton e 25-vjeçarit Bledar Kujtim Tërpollari të masakruar në Greqi dhe zbulon të dhëna mbi jetën e tij. Burime të News24 bëjnë me dije se viktima jetonte në një familje të madhe dhe të varfër në fshatin Backë të Skraparit.
Bëhet fjalë për një familje me 7 fëmijë, e Bledari ishte fëmija i dytë, e njihej si një person problematik që largohej shpesh nga fshati i lindjes. Të njëjtat burime bëjnë me dije se prej 7 vitesh Bledari lëvizte shpesh në drejtim të Sarandës e ka dyshime se ai përdorej nga persona të tjerë, për të trafikuar lëndë narkotike nga Saranda në shtetin grek.
Nga të tjera burime nga burgu i Drenovës, mësohet se Tërpollari ka vuajtur dënimin 8 muaj në këtë burg për vjedhje dhe ishte liruar në vitin 2010.
Ndërkohë nga policia e Skraparit bëhet me dije se Tërpollari ishte arrestuar tre herë për vjedhje të ndryshme. Shqiptari i masakruar në fshatin Gliki të Greqisë, mësohet se është qëlluar me një plumb që i është gjetur në mushkëri, dhe më pas i është prerë koka. Këto janë rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, sipas së cilës 25-vjeçari është qëlluar me armë gjahu teke, ndërsa në trupin e tij nuk konstatohen shenja dhune.
Mediat greke publikojnë edhe foton e viktimës, trupi e të cilit pa kokë, u gjet mëngjesin e së hënës në një stallë bagëtish, ndërsa pak orë më vonë koka u gjet në një hambar. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se krimi ka ndodhur të dielën dhe shkak mund të jetë prishja e pazareve të drogës. Mediat greke, bazuar në dëshmitë e banorëve të zonës, raportojnë se shqiptari ndodhej prej dy muajsh në Igumenicë dhe se po kërkonte punë si bari. Banorët dyshojnë se 25-vjeçari mund të ishte fshehur në zonën e tyre, pasi rezultoi se nuk kishte asnjë lidhje me 20 familjet shqiptare që jetojnë atje. Hetimet vazhdojnë ndërsa kanë nisur dhe kontrollet në kufirin shqiptaro-grek, pasi ka dyshime se autori, ose autorët mund të jenë larguar. Për këtë arsye policia greke ka kërkuar bashkëpunim me policinë shqiptare.
1-72