Shqiptari nuk shërbehet në një kafene në Londër për shkak të veshjës

Një ndërtimtar shqiptar është përjashtuar nga një kafene në Londër për shkak të rrobave të tij.

Alban Saiti, 35-vjeçar, provoi të merrte një kafe në “Raoul’s”, por një gjë e tillë nuk iu lejua “sepse kishte rroba të ndyta”.

“Ne nuk mund të ju shërbejmë juve. Ju jeni i ndyrë”, i kishte thënë kamerieri Saitit.

Kosovari ka thënë për “The Sun” se i ishte përgjigjur menjëherë kamerierit sepse ishte ndjerë shumë keq. “I thashë ‘Unë nuk punoj në një zyrë, jam ndërtimtar. Çfarë duhet të bëj, të zhvishem?’”.

Saiti thotë se ka jetuar në Londër qe 20 vjet dhe se nuk është poshtëruar kurrë kaq keq në jetën e vet.
Ndërkohë pronarja e kafenesë, Geraldine Leventis, ka thënë se “Saiti nuk ishte i pistë, por kishte rroba të ndërtimtarëve me njolla në pantallona”.

“Nuk po them asgjë kundër, por në të kaluarën kemi pasur ndërtimtarë që kanë ardhur dhe i kemi kthyer sepse kanë pasur rroba të ndërtimtarëve. Njerëzit e kundërshtojnë atë vendim. Por ne nuk i largojmë njerëzit pa arsye. Kërkojmë falje nëse kjo nxjerr probleme”, ka thënë ajo.