Shqiptarët u vranë me mbi 20 plumba

Së paku 20 plagë plumbash në kokë dhe në gjoks kishin trupat e dy shqiptarëve, xhaxha e nip, të vrarë nga forcat speciale greke EKAM, në Koniska të Greqisë.

Ky sipas gazetës “To Vima” është përfundimi i ekzaminimit mjeko-ligjor të viktimave, përpara se ata të dërgoheshin pranë familjeve të tyre në Shqipëri. Në gazetë shkruhet se dy shqiptarët ishin bërë “shoshë” nga plumbat e policisë, gjatë përplasjes me armë.

Në mbrëmjen e datës 2 korrik, në Koniska u zhvillua një shkëmbim zjarri mes policisë dhe dy shqiptarëve, xhaxha e nip, Flamur dhe Ermir Sinani.

Shefja e departamentit të mjekësisë ligjore të Patras, Angeliki Xiola, ka thënë për gazetën se shqiptarët kishin marrë të shtëna shumë herë, nga një largësi prej rreth 30-50 metra. Por nuk është e qartë nëse të gjitha plagët janë shkaktuar nga plumbat e qëlluara në drejtim të tyre, apo disa plagë janë rezultat i fragmenteve të plumbave të tjerë që janë hedhur atë natë.

Dje Abdulla Sinani, vëllai i njërës nga viktimat denoncoi në Gazeta Shqiptare dhe News24, “masakrimin” që iu është bërë dy shqiptarëve të cilët sipas tij, “nuk mund të quhen të vrarë, por të dhunuar e të copëtuar nga plumbat”. Sipas Abdullait, “ata ishin qëlluar me snajper dhe i kishin krahët e kockat të thyera e kishin të nxira nëpër trup”,TRANSMETON BW.

Ndërkohë policia greke vazhdon mobilizimin në kufirin greko-shqiptar për të identifikuar dhe kapur shqiptarët e tjerë të arratisur. Oficerët e Policisë vlerësojnë se edhe pse nuk duket asnjë gjurmë e pranisë ose lëvizjes së të kërkuarve, (pasi në orët e fundit nuk ka asnjë dëshmi rreth tyre apo për vjedhje automjeti), ata nuk kanë hyrë në territorin shqiptar dhe mbeten ende në Greqi, ku ndoshta gjejnë strehim të organizuar./LajmeOnline/