Shqipëria, përsëri pjesë e Panairit të Librit në Leipzig të Gjermanisë

loading...

Buchmesse_Leipzig_1

loading...
Edhe këtë vit Panairi i Librit në Leipzig (Leipziger Buchmesse), i dyti në Gjermani për nga madhësia, pas atij të Frankfurtit, por edhe ndër më të rëndësishmit në rrafshin kulturor të Europës, do të hapë dyert për të pritur autorë e botues nga dhjetëra vende, e veç të tjerëve, edhe pjesëmarrës nga Shqipëria. Një grup prej dhjetë vetash, autorë e botues, të organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, për të katërtin vit radhazi përfaqësojnë vendin tonë me stendën e tyre, që është e pozicionuar në një vend shumë të rrahur nga vizitorët: Pavijoni 4, D 506, pikërisht përballë Suedosteuropa – Stenda Traduki – ku zhvillohen aktivitetet kryesore që kanë të bëjnë me Europën Juglindore.

Panairi i Librit i Leipzigut është një veprimtari e rëndësishme, ku prezantohen me veprat e tyre mjaft shkrimtarë të njohur, e midis tyre edhe autorë nga letërsi jo fort të njohura për tregun e madh të librit. Në Panairin e vitit 2012, letërsia jonë u prezantua nga pesë autorë: Helena Kadare, Lindita Arapi, Ermir Nika, Agron Tufa e Romeo Çollaku, si dhe nga librat e pesë shtëpive botuese pjesëmarrëse. Edhe këtë vit organizatorët kanë zgjedhur me kujdes përfaqësimin shqiptar.

Pjesë e qindra autorëve që do të prezantojnë veprat e tyre në këtë panair, do të jenë edhe katër autorë shqiptarë: Artan Fuga, Visar Zhiti, Lindita Arapi dhe Alma Papamihali. Dhe jo më pak të njohura e përfaqësuese do të jenë shtëpitë botuese (Papirus, Gjergj Fishta, DITURIA dhe Ombra GVG). Janë rreth 2 150 botuesit ekspozues në Leipzig, më shumë se 2 800 veprimtaritë promovuese, si takime letrare, forume, prezantime dhe panele profesionale, ku marrin pjesë 38 vende. Gjatë katër ditëve të këtij panairi, duke filluar nga data 14 mars, ditë e cila shënon dhe hapjen e Panairit të Leipzigut për këtë vit, e deri më 17 mars, autorët shqiptarë do të jenë pjesë e paneleve të diskutimeve rreth temave që kanë të bëjnë me letërsinë, me problematikat dhe vështirësitë që ndesh ajo dhe shkrimtarët që jetojnë dhe krijojnë sot, në epokën e rrjeteve sociale, i tillë do të jetë diskutimi me temë “Të jetosh dhe të shkruash në epokën e rrjeteve sociale”.

Agjensia e lajmeve SOT NEWS

loading...