Shqipëria e De Biasit, më e mira në histori

De_Biasi_989956

Statistikat nuk të lënë asnjëherë të gabosh. Edhe pse pas pesë ndeshjeve të para mendja e shumë skeptikëve qëndron te humbja në shtëpi me Islandën (kjo më së shumti për mënyrën se si humbëm), fitorja ndaj Norvegjisë në transfertë e vë në plan të parë ekipin e drejtuar nga Gianni de Biasi, raporton ‘Panorama Sport’.

Madje, duhet theksuar se tekniku aktual mbetet më rezultativi nga të gjithë të tjerët, teknikë të huaj apo shqiptarë, që kanë drejtuar më parë ekipin tonë përfaqësues.

Duke marrë në konsideratë vetëm pesë takimet e para kualifikuese të ish-trajnerëve të Kombëtares (kjo, pasi De Biasi ka zhvilluar deri tani vetëm 5 ndeshje kualifikuese që nga momenti i marrjes së detyrës), rezulton se italiani është superior në të gjitha aspektet, në rezultate dhe pikë përkundrejt Josip Kuzesë, Ari Hanit, Oto Bariçit dhe Hans Peter Brigelit.

Në këtë speciale nuk është marrë parasysh i huaji tjetër i periudhës postkomuniste, Giussepe Dosena, për shkak se ai e drejtoi ekipin në vetëm tri ndeshje.

Rekordi

E besueshme apo jo, vlen të theksohet se në gjithë historinë e Kombëtares shqiptare, që nga viti 1963, kur morëm pjesë për herë të parë në kualifikimet e një kampionati botëror apo europian, nuk kemi qenë asnjëherë më lart në renditjen në grup sesa aktualisht.

Jemi të dytët, me pikë të barabarta me vendin e tretë (Islanda), pas pesë ndeshjeve të para dhe për më tepër vijmë nga një fitore në transfertë, e cila të bën realisht të besosh te kjo skuadër.

Mjafton të marrësh për bazë dy fakte mjaft domethënëse: e para, se para Norvegjisë kishim fituar vetëm tri ndeshje kualifikimesh në transfertë (Moldavinë, Kazakistanin dhe Luksemburgun, ekipe këto realisht më të dobëta sesa skuadra jonë) dhe, së dyti, Shqipëria para takimit në Oslo, më 22 mars, renditej në FIFA në vend të 63-të, ndërsa Norvegjia në vend të 29-të, pra plot 14 pozicione më lart sesa ne. Kjo statistikë mbështet edhe më shumë rekordin aktual të kuqezinjve. Gianni de Biasi – Pas pesë ndeshjeve të para, Kombëtarja e drejtuar nga De Biasi ka një bilanc realisht pozitiv: 3 fitore, 0 barazime dhe 2 humbje, pa llogaritur këtu takimet miqësore.

Për t’u vlerësuar fitorja ndaj Qipros, por edhe loja konstante ndaj një skuadre si Sllovenia, të cilën s’e kishim munduar asnjëherë. Teksa si qershizë mbi tortë erdhi trepikëshi në “Uleval” të Oslos, kjo falë një loje mjaft të mirë të kuqezinjve, ku realisht nuk na mungoi edhe fati. Me këtë bilanc, trajneri italian i kuqezinjve është statistikisht më i miri jo vetëm nga të huajt, por edhe shqiptarët që kanë drejtuar këtë skuadër.

Kuze-Haan

Kroati erdhi në mes të edicionit në krye të përfaqësueses pas shkarkimit të Ari Haan, ndaj si fillim në konsideratë janë marrë tetë ndeshjet e tij të para me kuqezinjtë, por krahasimi me De Biasin në kualifikuese bëhet për 5 ndeshjet e EURO 2012 ndaj Rumanisë (1-1), Luksemburgut (1-0), Bosnjës (1-1) dhe Bjellorusisë (2-0 dhe 1-0).

Skuadra e Kuzes grumbulloi 8 pikë dhe u rendit në vend të katërt, pra kishte një pikë më pak se ekipi aktual. Ndërsa Haan e nisi mirë aventurën e tij me kuqezinjtë, duke barazuar me Suedinë e Portugalinë, por humbi dy sfidat ndaj Hungarisë, konsideruar në atë periudhë si rivali direkt në grup. Pas 5 ndeshjesh, Kombëtarja nën drejtimin e tij renditej në vendin e pestë, me 6 pikë, teksa linte pas vetëm Maltën.

Bariç-Briegel

“Plakushi” kroat, edhe pse me shumë përvojë, nuk mundi të grumbullojë më shumë se 3 pikë pas 5 ndeshjeve të para, duke marrë 3 barazime dhe dy humbje. Ndërsa gjermani Hans Peter Briegel pas 5 ndeshjeve të para kualifikuese kishte më shumë se 6 pikë dhe skuadra renditej në vendin e 5-të.