Shpërndanin drogë në gjimnaze/ Të arrestuarit me “BMW”, nipi i Çapjave dhe futbollisti

loading...

loading...

Nipi i familjes Çapja dhe një ish-futbollist i Elbasanit janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në shkollat e mesme të qarkut të Elbasanit. Ambri Sinakoli, 22 vjeç dhe Bulent Luniku, 22 vjeç, u ndaluan pasi prej muajsh mbaheshin në vëzhgim nga forcat e Policisë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Visarion Xhuvani”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “BMW” të drejtuar nga ish-futbollisti Bulent Luniku, u gjet një sasi prej 2 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Mësohet se dy të rinjtë e shisnin lëndën narkotike jashtë ambienteve të shkollave të mesme, por jo vetëm të qytetit të Elbasanit. Operacioni i koduar “Shpërndarësit”, që çoi në pranga dy të rinjtë, u organizua në kuadër të kontrolleve të ushtruara për kapjen e personave me rrezikshmëri kriminale, apo të shpërndarësve të lëndëve narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, bënë ndalimin e tyre në rrugën “Qamil Guranjaku”, pasi kishin siguruar informacion në rrugë operative se në automjet kishin lëndë narkotike.

Pas kontrollit të ushtruar në automjetin luksoz tip “BMW”, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, një pjesë e paketuar me letër natriban dhe një pjesë e ndarë në doza të vogla gati për shitje. Lënda narkotike ishte fshehur në sediljen e pasme të këtij automjeti të drejtuar nga ish-futbollisti i të rinjve të Elbasanit.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy telefona celularë, si dhe automjeti tip “BMW”. Një pjesë e lëndës narkotike ishte e paketuar me letër natriban dhe një pjesë e ndarë në doza të vogla gati për shitje. Dyshohet se të rinjtë prej kohësh u shisnin gjimnazistëve të qytetit të Elbasanit, por edhe të qyteteve përreth, lëndë narkotike, duke operuar kryesisht pranë shkollave të mesme.

Kapja e tyre përkon pak ditë pas nisjes së sezonit të ri shkollor, ku me sa duket, dy 22-vjeçarët i ishin rikthyer “shpërndarjes” së lëndës narkotike për gjimnazistët. Ambri Sinakoli, 22 vjeç, është nip i familjes Çapja, përfshirë në disa ngjarje hakmarrjeje në Elbasan, ku janë shënuar disa viktima.

Ndërsa Bulent Luniku, 22 vjeç, rezulton ish-futbollist pasi pak vite më parë ka qenë pjesë e ekipeve zinxhirë të klubit sportiv Elbasani. Gjithashtu, grupi hetimor vijon hetimet për të zbuluar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Ndaj Ambri Sinakolit dhe Bulent Lunikut do të rëndojë vepra penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”./Panorama

loading...