Shokon gjykatën, nuk pendohet biznesmeni që vrau ish-bashkëshorten: Keqardhje ndiej vetëm për…

loading...

loading...

Mediat nuk e kanë pasur asnjëherë më të vështirë sesa dje të fiksojnë me kamera apo me aparate fotografike fytyrën e një të arrestuari në kafazin e sallës së gjyqeve te Krimet e Rënda. Katër ditë pasi vrau me dy plumba gruan e tij gjyqtare në Shkodër, Fadil Kasemi doli para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, shkruan “Panorama”.

Gjatë gjithë kohës kur mediat ishin të pranishme, tregtari 53-vjeçar është kujdesur të qëndrojë pas qoshes së kafazit të hekurt dhe thuajse me shpinë nga publiku, me qëllim që kamerat të mos ia fiksonin fytyrën.

Një “merak” të tillë autori i vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi, e ka shfaqur edhe në 31 gusht 2017, kur policët i vunë prangat në duar, rreth 30 minuta pasi kishte ekzekutuar nënën e dy fëmijëve në zonën e Xhamllikut në kryeqytet.

Por megjithëse nuk harroi për asnjë moment të ruante fytyrën nga ekspozimi në media, autori i akuzuar për ngjarjen e rëndë, e pranoi krimin, ndërsa shtoi se për momentin nuk mund të flasë e të japë shpjegime, pasi nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore.

Autori në gjykatë Gjyqtari i masës, Fran Prendi, caktoi masën e sigurisë “burg pa afat deri në fund të hetimeve” ndaj Fadil Kasemit, për akuzat “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” si dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Para se të jepte vendimin, gjyqtari i kërkoi të pandehurit konfirmimin e gjeneraliteteve, duke vënë në dukje faktin se ai është i dënuar edhe më parë për kanosje me armë ndaj gjyqtares Fildes Hafizi, të cilën e vrau më 31 gusht 2017, në orën 13.30. Pasi dha gjeneralitetet para gjyqtarit, i pandehuri u pyet nëse kishte gjë për të deklaruar në seancë, por tha vetëm se “ndjej keqardhje vetëm për dy fëmijët e mi”.

Në fjalët e 53-vjeçarit apo në veprimet e tij në gjykatë, ditën e djeshme, nuk u evidentua asnjë shenjë pendese për krimin e rëndë të kryer katër ditë më parë. Seanca u ndoq nga jashtë gjykatës prej familjarëve të 53- vjeçarit, i cili u përfaqësua në gjyq nga një avokat i caktuar nga shteti, pasi nuk kishte mbrojtës ligjor.

VRASJA

Përfaqësuesi i Prokurorisë tha dje në Gjykatë, se sipas hetimit paraprak, autori dyshohet se e kishte paramenduar krimin dhe e ka ndjekur viktimën. “Nga hetimet, duket se viktima hipën në makinë dhe ishte duke vendosur rripin e sigurimit. Xhami ishte gjysmë i hapur. Autori, i cili gjendej rreth 10 metra nga pjesa e pasme e makinës, afrohet me shpejtësi dhe e qëllon menjëherë”, ka deklaruar prokurori në gjykatë.

Sipas tij, nga pamjet filmike duket se autori qëllon dy herë dhe nuk duket se autori e viktima kanë pasur komunikim.

“Goditjen e parë autori e ka bërë nga një largësi rreth 20 cm, ndërsa të dytën më nga afër”, ka bërë me dije prokurori. Akuzat e ngritura ndaj 53-vjeçarit, sipas ndryshimeve të fundit ligjore, parashikojnë dënim me burg përjetë.

RRËMBIMI I PERSONIT

Prokuroria thekson se, më pas, shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon Mercedes-Benz, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit, shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi, duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.

DËSHMIA

Autori i vrasjes së gjyqtares mësohet se nuk ka folur para hetuesve në lidhje me krimin. “I pyetur për faktin e ngjarjes, personi i arrestuar Fadil Kasemi, në praninë e një mbrojtësi kryesisht, pasi është njohur me letrën e të drejtave si person i arrestuar, ai nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes”, kanë bërë me dije burimet nga hetimi i çështjes.

Sipas tyre, në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon të caktohet ndaj shtetasit Fadil Kasemi masa e sigurimit “arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”; “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “rrëmbim ose mbajtja peng e personit”./PANORAMA

loading...