Shmanget tragjedia në Sarandë, shpëtohen 8 fëmijë në det

Një tragjedi e vërtetë është shmangur mesditën e sotme në bregdetin e Sarandës.

Policia kufitare u vjen në ndihmë 8 minorenëve të cilët rrezikuan të mbyteshin me një barkë.

Gjatë ditës së sotme rreth orës 15:30, në zonën ujore përballë “Disko Afrikës” rreth 0.7 milje larg nga bregu i detit, Policia Kufitare Sarandë duke patrulluar në këtë sektor është njoftuar nga qytetarët se një mjet lundrues tip barkë-pedalon, po rrezikohej të mbytej bashkë me 8 persona minorenë që ndodheshin mbi të.

Për shkak të mbingarkesës në barkë dhe dallgëve të forta të detit, fëmijët kanë rrezikuar jetën e tyre dhe kanë kërkuar ndihmë.

Shërbimet e policisë sapo kanë marrë thirrjen për ndihmë, nëpërmjet mjeteve lundruese kanë dhënë ndihmën që duhej duke shpëtuar të gjithë fëmijët që ndodheshin në këtë pedalon, pa probleme për shëndetin e tyre.

Policia falenderon qytetarët për bashkëpunimin si dhe u bën thirrje të gjithë pushuesve që të kenë sa më shumë kujdes gjatë sezonit turistik, veçanërisht me fëmijët e tyre pranë ujit.