“Shkrimi i shekullit” për Ballist Morinen. Të vërtetat e hidhura të popullit dhe qeverisë

Ballist Morina na turpëroi!

Kohët e fundit na është lënë të kuptojmë nëpërmjet lajmeve dhe zhvillimeve të fundit që Shqiptarëve më në fund u ka ardhur dita të jenë vendimmarrës në ballkan. Kafeneve tema më e shpeshtë është se sa krenarë na kanë bërë të ndihemi liderët tanë me deklaratat e tyre bombastike në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht në atë ballkanike. E vërteta është që duhen këllqe të forta të bëhen deklarata të tilla dhe të mos cënosh interesin e bashkëkombasve të tu. E deri në këtë pikë të gjithë u ndiem krenarë, kryelartë, dhe si rrallëherë të rëndësishëm. Por kur deklaratat mbeten thjesht dhe vetëm fjalë pa u konkretizuar në aksion dhe vepra ato jo vetëm i merr era, por madje fillojnë të bien erë.Historia na ka treguar që Shqiptarët janë popull fjalëpak dhe punëshumë.

Siç duket këtë herë u desh sërisht Ballist Morina të vetësakrifikohej për të na lënë të kuptojmë që Shqipëria e sotme gjithçka mund të jetë veçse jo ajo Shqipëria që jemi mësuar të lexojmë nëpër vargjet e Naimit e Samiut, në legjendat e Mujit dhe Halilit, në betejat e Pirros së epirit; Skënderbeut; Çerçiz Topullit; Shote dhe Azem Galicës. Shqipëria e sotme gjithçka mund të jetë veçse jo Shqipëria për të cilën punoi aq fort Ismail Qemali, Isa Boletini e Fan Noli. Gjithçka veçse jo ajo për të cilën ëndërronin Avni Rustemi e Adem Jashari. U desh sërisht Ballisti të na tregonte që Shqipërisë së sotme përveç deklaratave e fjalëve të pafund asgjë tjetër s’i ka mbetur. Aspak aksion, aspak krenari. Superioritet siç flitet kafeneve jo e jo. Ballistin do ta ekstradojnë në Serbi për krime të cilat figurojnë veç në mëndjet e atyre që janë lindur e rritur, kanë punuar e punojnë çdo ditë me urrejtjen ndaj Shqipëtarëve dhe zhdukjen një herë e përgjithnjë të emrit Shqipëri. Asnjë krim, asnjë fakt, asnjë provë. E gjitha hakmarrje ndaj një gjesti që përveç se na bëri ne krenar askënd tjetër nuk cënoi. Dhe ne me një sy qorr e një vesh shurdh e aprovuam në heshtje ekstradimin e tij në Beograd. Në

Beogradin që pothuaj tre vite më parë e bëri të dridhet nga tërbimi, zemërimi e thirrjet rraciste sot dridhet sërisht nga ethet e emocionet që u dhuron kënaqësia e triumfit dhe e hakmarrjes.Ballisti që pothuaj tre vite më parë na bëri të ndihemi krenarë në sy të gjithë botës, sot na turpëroi duke i treguar gjithë botës që ne s’jemi më ata Shqipëtarët e besës e të zakonit që hidheshim në zjarr e luftonim deri në frymën e fundit për të drejtat tona. Me ekstradimin e Ballistit ne nuk jemi më punëshumë e fjalëpak, ne sot jemi Shqipëria fjalëshumë e punëaspak. Ne nuk jemi më Shqipëria besnike, ne sot jemi Shqipëria besëpreme. Ne sot ndihemi të turpëruar! Nga Enea Fezaj /shqiperiaime.al