Shkodrania rrëfen: Mendoja se burri shkonte me tjetër, por ajo që zbulova më “pushoi zemrën”

Një histori e dhimbshme është rrëfyer nga një grua shkodrane, e cila ka treguar se çfarë ka zbuluar për të shoqin.

Një problem që vijon të shkatërrojë me dhjetëra familje shqiptare: varësia nga lojërat e fatit, rrëfehet nga një grua.

“Doja të ndaja me ju historinë time, ose me saktë dramën e familjes time. Jam 40 vjeçe e jetoj në Shkodër. Deri dje mendoja se kisha familjen më të rregullt në horizont, por sot nuk di më kë ndaj shtratin. Kam dy fëmijë si drita, e një burrë që më ka respektuar e dashur gjithmonë, por vitin e fundit gjërat sikur po ndryshonin mes nesh.

Burri nisi të bëhej prapritur gjithnjë e më i paparashikueshëm. Në fakt nisa të dyshoja se sjellja e tij mund të lidhet me ndonjë tradhti.

Rrinte më pak në shtëpi, edhe pse punon 8 orë në ditë, nisi të dukej më i lodhur, më i tërhequr dhe gjithmonë madje dukej i mërzitur. Edhe me fëmijët, me të cilët ai gjithmonë ka qenë i qeshur edhe kur kishte ditë që vinte nga 12 orë punë.

Nisa të ndjehem edhe në shtëpi sikur jam vetëm unë prind për fëmijët tanë.

Një mike imja, që burrat i kemi shokë, më uli një ditë në kafe dhe më tha që im shoq luan bixhoz. Jam ndjerë tmerrësisht e habitur, e zhgënjyer dhe e shokuar.

Nuk di si kam arritur të shkoj në shtëpi e kur erdhi nga puna bëra gabim qe fola në sy të fëmijëve, por u ballafaqova duke qarë. Më tha që nuk duhesha të shqetësohesha aq, sepse ai mund të kontrollojë sa shpenzon.

Por unë e shoh që asgjë nuk shkon mirë. Kemi më pak të ardhura dhe nuk kemi harmoni në shtëpi. Kam një burrë dhe fëmijët një baba që është aty vetëm fizikisht.
Tani sa herë i lutem të mos luajë më, nis e acarohet me mua. Jam shumë e shqetësuar se po më shkatërrohet familja dhe nuk po di si ta ndihmoj burrin që e dua fort të heqë dorë nga ky ves”, shkruan ajo.