Shkencëtarët kanë zhvilluar dorën më të mirë robotike deri tani

f1_02dora-robotike-jpg1357138161

Shkencëtarët amerikanë kanë zhvilluar dorën robotike e cila kontrollohet direkt nga mendimet dhe ka lëvizshmërinë e dorës së njeriut.

Jan Scheuermann, 52-vjeçarja  e cila është diagnostikuar me çrregullim në punën e trurit para 13 vitesh, është paralizuar nga qafa poshtë, dhe pas instalimit të elektrodave në tru ka mundur të operojë me dorën robotike me shkallë të tillë të kontrollit dhe lëvizshmërisë, e cila ende nuk është parë në këtë lloj të protezave të sofistikuara.

Ekspertët këtë e quajnë hap të madh përpara për protetikën, e cila e kontrollon direkt truri.

Ekipi shkencor nga Universiteti në Pittsburgh me rezonancën magnetike funksionale ka zbuluar pjesën e trurit, e cila ka reaguar pasi që pacientes i është thënë që të koncentrohet në lëvizjen e dorës së paralizuar. Pas kësaj kanë transplantuar dy elektroda në korteksin e majtë motorik të trurit përgjegjës për fillimin e çdo lëvizje. Elektrodat janë lidhur me dorën robotike përmes kompjuterit i cili ka përkthyer sinjalet e trurit në mënyrën në të cilën truri i shëndetshëm kontrollon duart e shëndetshme.

Michael Boninger, i cili ka punuar në hulumtim, rezultatet e të cilit kanë publikuar në revistën Lancet, thotë që përkthimi i saktë i sinjaleve nga truri është një nga sfidat më të mëdha në protezat të cilat i kontrollon truri.

Janë dashur disa javë trening që pacientja të përvetësojë kontrollin e dorës por vetëm pas dy ditësh ka arritur ta vë në lëvizje, ndërsa pas një kohe ka arritur të kryejë të gjitha lëvizjet komplekse si ngritja e sendeve, lëvizja e tyre dhe bartja në një vend të caktuar. Me ushtrime është përmirësuar edhe shpejtësia e lëvizjeve.

Shkencëtarët planifikojnë të përfshijnë teknologjinë pa tela për të eliminuar nevojën për tela në mes kokës së pacientëve dhe protezës, ndërsa besojnë që mund të shtohen edhe elementet ndijore të cilat në tru do të kthenin informatat për shembull për sipërfaqen e ftohtë dhe të nxehtë ose të butë dhe të fortë.

Pajisjet tjera protetike tashmë u kanë mundësuar pacientëve të paralizuar të shtypin ose shkruajnë duke u koncentruar në një shkronjë të caktuar, ndërsa muajin e kaluar, shkencëtarët në Zvicër kanë përdorur elektrodat që janë transplantuar direkt në retinën e syrit për t’u mundësuar leximin pacientëve të verbër.

Zhvillimi i pajisjeve që lidhen me trurin po përparon shpejt dhe shkencëtarët parashikojnë që me këtë teknologji mund të tejkalohet dëmtimi i nervave dhe kështu të zgjohen muskujt e paralizuar.

Në ndërkohë sistemet e tilla mund të bashkohen me protezat robotike që paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve t’u mundësohet ecja ose përdorimi i duarve.