Shfaqet një nga të dyshuarit e “Audit” të verdhë: Nuk kam qenë unë

audi1

Vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së medias italiane “Audi” i verdhë, i cili po kërkohet nga policia në të gjithë veriun e vendit, pas dyshimeve se me të qarkullojnë tre persona, të akuzuar për disa vjedhje dhe grabitje. Fotoja e mjetit tip “Audi RS4” me targë zvicerane TI1231 ka qarkulluar ditët e fundit në të gjitha portalet italiane dhe rrjetet sociale, të cilat shkruajnë se tre personat që lëvizin me të janë nga Europa Lindore.

Makina dyshohet se është përfshirë në një aksident me vdekje në zonën e Mestres, ku viktimë ka mbetur një shtetase ruse 58-vjeçare.

Pas dyshimeve të policisë italiane, një 32-vjeçar shqiptar është paraqitur në kuesturën e Torinos për të sqaruar pozicionin e tij. “Nuk kam qenë unë me atë makinë, ky është një gabim. Unë jam i pafajshëm”, është shprehur 32-vjeçari, i cili nuk identifikohet nga mediat italiane. Ai është paraqitur së bashku me avokatin e tij dhe ka hedhur poshtë hipotezat e policisë, pas publikimit të disa fotove në portalet dhe mediat sociale.

Ai ka pranuar se i njeh edhe dy personat e tjerë, të cilët ka thënë se “ndodhen në vendin e tyre” (Shqipëri), madje njëri prej tyre vuan dënimin në burg.

7Yf5Ryxl

Makina e verdhë kërkohet nga policia që prej 26 dhjetorit, pasi u vodh në aeroportin e Malpensës. Ajo është parë në 16 janar në Albano Terme, por ia ka dalë t’i largohet policisë. Pasi është lokalizuar për së dyti në Frilui, sërish ia ka dalë të arratiset pa u kapur nga policia. Në 21 janar, ajo është kapur nga kamerat në një pikë furnizimi me karburant në San Donà di Piave, ku dy prej personave që gjendeshin në të janë filmuar, por jo në mënyrë të qartë.

Aksidenti i Mestres ka qenë “aventura” e fundit e automjetit që udhëton në rrugët e veriut të Italisë me një shpejtësi 260 km/orë dhe kërkohet nga policia prej disa ditësh.