Sherri midis dy bandash në lokalin e natës, ja pse të rinjtë zbrazën karikatorin mbi trupat e rivalëve

“BalkanWeb” zbardh të tjera detaje nga plagosja me armë zjarri e tre personave në një lokal nate në Sarandë.

Nga të dhënat e deritanishme, ka dyshime se sherri në fjalë ka ndodhur pas përplasjes mes dy grupeve rivale, ku për pasojë mbetën të plagosur Anton Shyti, 37 vjeç dhe Besi Xhafaj, 26 vjeç (Pjesë e një njërit prej grupi rival) dhe bashkëpronari i lokalit Fisnik Musa, 35 vjeç, (pjesë e grupit tjetër).

“BalkanWeb” mëson se njëri nga të plagosurit në Tiranë ka marrë plagë në kokë, ndërsa tjetri në trup. Sakaq, bashkëpronari i lokalit, Musa, i cili ndodhet aktualisht i shtruar në Sarandë, është plagosur në këmbë.

Po ashtu, ka dyshime se ngjarja që ndodhi gjatë natës, rreth orës 03:00 të ketë lidhje me atë që ka ndodhur një javë me parë, kur tek lokali i natës është plagosur bashkëpronari i Musës, shtetasi Diomet Musa, 30 vjeç.

Mësohet se një javë më parë, në të njëjtin lokal në Sarandë, dy shtetas ende të paidentifikuar plagosën me mjete të forta bashkëpronarin tjetër të biznesit, shtetasin D.M, 30 vjeç.

‘BalkanWeb’ mëson se në Bulevardin e qytetit, policia ka rrethuar vendin, ndërsa aty ndodhet i rrethuar një fuoristrade “Opel Frontera” me xhama të zinj me targa të huaja GE1605AB. Po ashtu, thuhet se sherri dyshohet të ketë nisur në lokal dhe plagosja ka ndodhur poshtë tij në Bulevard.