Shefqet Krasniqi: Unë s’kam bërë nxitje dhe urrejtje fetare

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, në një opinion dërguar portalit Indeksonline ka komentuar Raportin e fundit të Qeverisë Amerikane për të cilin thotë se ka disa vërejtje.

Ai mes tjerash shkruan se, edhe emri i tij është lakuar çuditërisht e që, sipas tij, ky raport është thirrur në disa mediume të caktuara.

Kosova asnjëherë gjerë më sot jo vetëm që nuk ka njohur ndonjë konflikt por madje as edhe incidentin më të vogël ndërfetar ka shkruar Krasniqi.

“Raporti vjetor i Qeverisë Amerikane rreth Lirive Fetare paska konstatuar se në Kosovë ‘ka një rritje të gjuhës së urrejtëse’, konstatim ky rreth të cilit kam rezerva të mëdha ngase realiteti në terren na flet krejtësisht ndryshe. Në Kosovë ka pasur, ka dhe do të ketë liri dhe tolerancë të plotë fetare, si askund në botë, në radhë të parë duke ju falënderuar komunitetit musliman si shumicë dërmuese e këtij vendi dhe hoxhallarëve predikues, të cilët janë shumë të kujdesshëm që ta ruajnë dhe ta kultivojnë edhe më tej këtë tolerancën e trashëguar nga të parët e tyre. Kosova asnjëherë gjerë më sot jo vetëm që nuk ka njohur ndonjë konflikt por madje as edhe incidentin më të vogël ndërfetar, në veçanti në mes shqiptarëve, të cilët kanë më shumë se një fe, dhe të cilët pa asnjë hezitim vizitojnë njëri-tjetrin dhe i urojnë njeri-tjetrit Bajram dhe Pashkë.

Në këtë raport çuditërisht është lakuar edhe emri im, duke u thirrur në disa raporte të medieve ani pse aty nuk ceket madje qoftë edhe një fjalë e vetme e imja për të argumentuar pretendimin se unë po nxitkam apo përhapkam urrejtje fetare, gjë që në realitet nuk qëndron. Në apostrofimin e cekur thuhet se unë:

‘Imami i xhamisë më të madhe të BIK, Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi akuzoi komunitetin katolik për urrejtje kundër muslimanëve, përshkroi gratë me gjuhë denigruese, dhe deklaroi votimin për parti të caktuara politike si “mëkat” në predikimet (hytbet) e shpërndara gjerësisht përmes internetit dhe paraqitjeve të ndryshme në media’.