Shefqet Krasniqi: Nuk është haram nëse konsumoni Coca – Cola

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe njëri nga imamët më me ndikim në vend, Shefqet Krasniqi ka thënë se ai nuk mund ta ndaloj konsumimin e Coca – Colës.

Imami tha për Indeksonline se Coca – Colën ka kohë që nuk e konsumon, pasi që është jo e shëndetshme.
“Coca – Colën unë për vete nuk e konsumoj moti. Nuk e konsumoj, sepse nuk shoh hajër në të asgjë. Për mua është pije e dëmshme, por nuk e ndaloj, dhe nuk guxoj me ba haram. Por, me preferu nuk e preferoj, sepse është e dëmshme”, tha Krasniqi.
Por, Krasniqi më tej tha se nuk duhet të ndihmohet kundërshtari.
“Paratë mund të shkojnë për ndihmë atyre që luftojnë kundër palestinezëve. Edhe ajo mund të jetë njëra prej shkaqeve. Sikurse, për shembull produktet e Serbisë, t’i konsumonim sa luftohej në Kosovë, normalisht që mund shkoj një pjesë e buxhetit për caçe çetnike e paramilitare. Dhe nuk duhet me ndihmu dushmanin dhe me luftue vëllaun tënd, se për ndryshe nuk mundemi me ndalu”, ka thënë në fund Shefqet Krasniqi.

Mbrëmë, deputeti i PD-së në Kuvendin e Kosovës, Gëzim Kelmendi bëri thirrje që mos të konsumohet Coca-Cola dhe produketet e saj, si Fantan, Sprite-n dhe Schweppes-in.

Arsyetimi i Kelmendit ka qenë se konsumimi i këtyre produkteve e “ndihmon Izraelin në luftë kundër palestinezëve në Rripin e Gazas”.