SHBA dënon bombardimin izraelit

timthumb_331544011

Shtëpia e Bardhë ka dënuar të mërkurën bombardimin e një shkolle të OKB-së në Gaza, duke shprehur keqardhje që “mijëra palestinezë” të thirrur të largohen nga shtëpitë e tyre nga ushtria izraelite nuk janë të sigurtë as në strehimoret e ngritura nga Kombet e Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara e dënojnë bombardimin e një shkolle të UNRWA-së (agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë) në Gaza, i cili ka lënë të vrarë e të plagosur në mesin e palestinezëve të pafajshëm, përfshirë fëmijë, dhe punëtorë të OKB-së”, ka theksuar Bernadette Meehan, zëdhënëse Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kabineti i politikës së jashtme të presidentit Barack Obama.

Së paku 16 palestinezë, të cilët ishin strehuar në këtë shkollë, janë vrarë të mërkurën në mëngjes nga bombardimet izraelite në veri të Rripit të Gazës. Rreth 3.300 persona kishin gjetur strehë në këtë shkollë.

“Ne dënojmë edhe ata që janë përgjegjës për fshehjen e armëve në ndërtesat e OKB-së në Gaza”, ka vijuar zëdhënësja.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e ka cilësuar këtë bombardim si “të pajustifikuar”. “Më duhet të saktësoj se lokalizimi i saktë i kësaj shkolle fillore u është komunikuar 17 herë autoriteteve ushtarake izraelite, sidomos natën e kaluar, pak orë para këtij sulmi”, ka theksuar shefi i OKB-së.

Izraeli po e heton rastin

Kurse, pala izraelite thotë se në mëngjes ka pasur gjuajtje me mortaja nga zona rreth shkollës. “Jemi duke e hetuar këtë rast”, ka theksuar një zëdhënës i ushtrisë izraelite, Peter Lerner. “Është e vërtetë se kjo është një tragjedi, por në asnjë rast ushtria izraelite nuk bombardon qëllimisht lokalet e Kombeve të Bashkuara”, ka siguruar ai.

Sipas OKB-së, kjo është hera e gjashtë që nga fillimi i konfliktit që një prej shkollave të organizatës qëllohet drejtpërdrejt në Rripin e Gazës./Zeri/