Serie A, fiton Milan, Fiorentina dhe Napoli ndahen në barazim – VIDEO

loading...

pazz

loading...
Milan rikthehet te suksesi, pas barazimit 0-0 në “Marassi”. Në “San Siro”, mposhtin Bologna-n 2-1 dhe tashmë janë vetëm 2 pikë larg Fiorentina-s së vendit të 5-të. Pjesa e parë e ndeshjes ka parë vetëm një ekip në fushë, por Agliardi i thotë “jo” El Shaarawy-t dhe Pazzini-t. Por, në pjesën e dytë është pikërisht “il Pazzo”, ai që fillimisht zhbllokon rezultatin në të 65-tën, ndërsa më pas dyfishon shifrat në të 82-tën, pas një kontrolli perfekt të topit. Mbrojtësi francez, Mexes shënon në minutat e fundit një autogol, duke rihapur ndeshjen, por Milan reziston dhe merr kështu 3 pikë të vlefshme, në rrugën drejt një vendi në Europë. Te Milan mungonte De Sciglio, në gjendje gripale, por u rikthye Abate si titullar. Në mesfushë, veç Montolivo-s dhe Boateng, u aktivizua edhe Flamini, i cili më pas u zëvendësua nga Traore. Ndërsa sulmi pa edhe njëherë titullar Niang-un, talentin 19-vjeçar, së bashku me Pazzini-n dhe El Shaarawy-n. Te Bologna, sytë ishin të fokusuara te i riu Riverola, i cili debutonte në Serie A.

Napoli barazon 1-1 në transfertë me Fiorentina-n, një rezultat ky që nuk gëzon askënd. Napoli mbetet larg Juventus-it, tashmë në krye me 5 pikë avantazh edhe ndaj Lazio-s, ndërsa Fiore rrezikojnë të humbasin vendin e dyte kundrejt kuqezinjve të Milan-it. Ekipi “viola” zhbllokon rezultatin në të 33-tën, pas një gafe të çuditshme të De Sanctis, i cili del huq te gjuajtja nga mesi i fushës së Roncaglia-s. Por, skuadra e Mazzarri-t barazon me Cavani-n në të 42-tën, që devijon me kokë goditjen e dënimit të Hamsik. Valon Behrami sfidën ndaj ish-klubit të tij e nisi nga minuta e parë duke shfaqur lojë mjaft të mirë. Reprezentuesi kosovar i Zvicrës është ‘zverdhur’ në këtë takim. Ndërkaq, Blerim Xhemajli një tjetër shqiptar që luan tek napolitanët në barazimin ndaj skuadrës ‘viole’ është inkuadruar në lojë në minutën e 55-të.

U aktivizua në pjesën e dytë, në vend të Paolucci-t, por Erjon Bogdani i dhuron 3 pikë ekipit të drejtuar nga Iachini, duke i dhënë paksa “frymëmarrje” Siena-s, në luftën për mbijetesë në Serie A. Ndeshja në “Franchi” me Sampdoria-n ishte e ekuilibruar, por jo tërheqëse. Ekuilibrin e prish vetëm sulmuesi shqiptar, i cili shfrytëzon më së miri krosimin e Sestu, duke shënuar me kokë. Fundoset Samp-i, por një sherr në çastet e fundit nxjerr me të kuq edhe trajnerin e Siena-s. Në ndeshjet e tjera, Torino nuk ndalet as këtë javë, teksa siguron një fitore të pastër 2-0 ndaj Pescara-s në transfertë. Autorë të golave Santana dhe Cerci. Pescara mbetet me 10, pas kartonit të kuq për Weiss. Krizë rezultatesh për Genoa-n dhe Atalanta-n. Ekipi i Preziosi-t mposhtet 0-2 brenda në Xhenova nga Catania, ku golat u shënuan nga Bergessio dhe Barrientos. Borrielo i pafuqishëm për të shënuar. Ndërkohë bergamaskët vinin nga një seri rezultatesh negative, teksa ndaj Cagliari-t nuk shkojnë më shumë se sa një barazim 1-1. Në fillim shënojnë autogol, i pafalshëm për Canini-n, më pas Stendardo i dhuron 1 pikë të vlefshme për mbijetesë, edhe pse luajtën për rreth 15 minuta në inferioritet. Barazim 1-1 edhe mes Chievo-s dhe Parma-s. Shënon për vendasit Belfodil, ndërsa Paloschi barazon pas gjuajtjes me kokë për miqtë. Në ora 20:45, AS Roma takohet me Interin në “Olimpico”, në takimin e fundit të xhiros.

AC Milan 2-1 Bologna

MIL 2-1 BOL (All Goals) 20.01.2013 ourmatch.net by ourmatch

Fiorentina 1-1 Napoli

FIO 1-1 NAP 20.01.2013 (Highlights) ourmatch.net by ourmatch

loading...