Serbia, prezanton trajnerin Advocaat

156066-vjeçari, në prononcimin e parë si trajner i kombëtares ballkanse tregoi se ka informacion të bollshëm për ekipin e tij.

Holandezi Dick Advocaat u prezantua si trajneri i ri i Serbisë, skuadër të cilën do të drejtojë gjatë dy viteve të ardhshme në kuadër të eliminatoreve të Europianit. 66-vjeçari, i cili ka një karrierë të pasur në nivel klubesh dhe kombëtaresh, pasi përveç Holandës ka drejtuar edhe Rusinë, Belgjikën dhe Arabinë Saudite, në prononcimin e parë si trajner i kombëtares ballkanse tregoi se ka informacion të bollshëm për ekipin e tij.

“Kam parë rreth 10 ndeshje, veçanërisht ato të fundit, por nuk është se vura re ndonjë gjë të re. Unë kisha informacion të mjaftueshëm për kombëtaren e Serbisë. Ka futbollistë të talentuar, por i mungon kualifikimi, kjo është ajo që duhet të ndryshojmë”.

Duke folur për objektivat, Advocaat pranoi se do të ishte dështim nëse nuk arrin ta kualifikojë Serbinë në finalet e Europianit.

“Ne kemi vetëm një synim: Të kualifikohemi në Euro 2016. Dhe siç e thashë më parë, ne i kemi cilësitë për t’ia dalë mbanë. Nuk mund të kemi asnjë justifikim, thjesht duhet ta arrijmë këtë objektiv”.

Dik Advocaat do të jetë kundërshtar i kuqezinjve në fushatën e ardhshme eliminatore, pasi Serbia bën pjesë në të njëjtin grup me Shqipërinë, Portugalinë, Danimarkën dhe Armeninë.