Serbia i frikësohet Shqipërisë së Madhe

loading...

Marrëveshja ushtarake, e nënshkruar para disa ditësh në mes Ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, sipas ekspertëve serbë të sigurisë, “është një hap drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe një rrezik potencial për rajonin”.

1

loading...

Sipas Radomir Milasinovicit, dekan i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin e Beogradit, kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm një fazë drejt “realizimit të projektit perëndimor të Shqipërisë së Madhe”.

Ekspertët serbë të sigurisë vlerësojnë se paraqitja e përbashkët e forcave të armatosura të Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të lëkund rajonin.

Ndër argumentet për këtë ata përmendin edhe gjendjen numerike të ushtrive të dy vendeve, e cila sipas tyre mund të arrijë në 20 mijë ushtarë të armatosur.

Siç shkruan gazeta serbe “Vecernje Novosti”, Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosvës ka kufizuar numrin e pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës në 2.500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervistë.

Ndërsa vlerësimet për forcën e ushtrisë së Shqipërisë janë të ndryshme, por më së shpeshti përmendet numri prej 13 mijë ushtarëve.

“Marrëveshja është një punë e imtë që po zbatojnë mentorët e shqiptarëve, SHBA dhe Gjermania, me qëllim të futjes së Turqisë në Ballkan”, thotë Milasinovic.
“Ushtritë e bashkuara të Shqipërisë dhe Kosovës janë një forcë që meriton respekt. Serbia, duke mos braktisur parimin e mbrojtjes së sovranitetit, duhet të jetë e vetëdijshme se në anën tjetër të kufirit ka përballë fqinjët armiqësorë.

Gjendjen e sigurisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë –Shqipëri, e vlerëson shqetësuese edhe gjenerali serb në pension, Radovan Radinovic.

“Kosova pothuaj se nuk ka fare kufi jugor, kurse bashkimi i territoreve ku jetojnë shqiptarët është qëllimi të cilin politikanët në Tiranë dhe Prishtinë pothuaj nuk e fshehin fare. Në këtë kontekst duhet parë edhe këtë marrëveshje.

Edhe pse Marrëveshja e Brukselit garanton se në veri të Kosovës nuk do të mund të vendosen forcat e armatosura të Kosovës, sipas Radinovicit është shqetësues qëndrimi indiferent i Serbisë. Sipas tij, Serbia do të duhej qoftë edhe verbalisht t’i kundërvihet akteve të tilla.

Ish kryeshefi i Gjeneral shtabit të Ushtrisë së Jugosllavisë, Branko Kërga thotë se marrëveshja mes Prishtinës dhe Tiranës për Kosovën me shumë ka një domethënie propagandistike, “sepse me këtë synon të tregojë se Kosova mund të bëjë edhe marrëveshje të kësaj natyre”.
“Megjithatë nuk duhet harruar se paraqitja e përbashkët ushtarake e Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin ushtarak për Serbinë paraqet kërcënim serioz për sigurinë”, ka thënë ai. /LajmeOnline/

loading...